Nga Marlin Muça
Të qenurit një turmë pa kokë natyrisht që ka avantazhet e veta.Një ndër to, në kushtet e një pseudo demokracie shqiptare, është dhe ruajtja e integritetit fizik të protestuesve dhe në fund te të fundit dhe vazhdimësia e protestës. Ama, mospasja e një kryesie organizative sjell po ashtu pasoja negative. Pasoja që ne i pamë kur vrapuam kuturu pasditen e 11 dhjetorit, në përfundim të ´´ultimatumit´´ të orës 16:00. Konfuzioni dhe pasiguria janë simptomat e një turme pa kokë. Pasiguria për të sotmen dhe konfuzioni për të ardhmen e lëvizjes. Në kuadrin e këtij çorganizimi të menduar qëllimisht nga ne studentët, besoj se është e kotë dhe e pamoralshme të bëjmë hapa pas duke zgjedhur përfaqësi apo cfarëdolloj ofiqi tjetër që ka në thelb protagonizmin. Natyrisht që pas këtij organizimi anarkik, pikëpyetjet mbeten ndërkohë që studenti shqiptar, i pamësuar me protesta dhe greva anon logjikisht drejt asaj që ai e njeh më mirë: shkollën. Pyetja që shtrohet rëndom ditët e fundit është se ku do të do të orientohen turmat e çorientuara nga propaganda e pushtetit dhe bishtave të tij, mëngjesin e 7 janarit? Ku do të përqëndrohet forca e madhe studentore që prej dy javësh tronditi themelet e pushtetit?
Ditët e fundit janë shpërndarë njoftime se protesta këso here do të mbahet në platenë e Universitetit Politeknik të Tiranës, godina e parë e Universitetit Publik Shqiptar dhe simbol i arsimit vendas 60 vitet e fundit. Njëkohësisht, një tjetër grup që ka marrë emrin ´´Grupi i Rezistencës´´ është zotuar se do të mbajë të pushtuar sheshin para Kryeministrisë deri më datën 7 janar, ditë kur sheshi do të rimbushet sërish nga studentët e të gjitha fakulteteve në një përpjekje finale për të sprapsur qeverinë nga turravrapi anti-kushtetues që ka ndërmarrë tash e tre vite në fushën e arsimit. Shumëkujt mund t´i duket përçarje kjo ri-ndarje e energjive studentore në këtë apo atë institucion. I padiskutueshëm është fakti që brenda protestës ka shumë rryma që përpiqen ta fusin lëvizjes në hullitë që i leverdisin politikës. Megjithatë, tej tymnajës së percarjes dhe kokëfortësisë dhe protagonizmit, një sy i stërvitur sheh lindjen e një dimensioni të ri pluralizmi brenda shoqërise shqiptare. Ky pluralizëm i ri mendimi nuk e rreshton humbësin përkrah fituesit. Kjo erë e re demokracie refuzon ta shndërroje shumicën në vrasëse të mendimit ndryshe, por i siguron të gjitha palëve vendin dhe hapësirën e kërkuar ku secila mundet të shpalosë platformën e saj ideore. Për sa kohë të gjithë jemi të unifikuar në qëllim, vendndodhja e atyre që duan të arrijnë qëllimin është e pavlerë.
Protesta është mjet që nuk kërkon një kuorum të nevojshëm për realizimin e saj. Ne kemi parë lëvizje që janë nisur nga 10 veta si e ajo e armëve kimike dhe që me vone evoluoi në një të atillë që rrezikoi seriozisht pushtetin pak ditor të Rilindjes. Numrat kanë pak rëndësi kur fryma e protestës dhe koshienca e njerëzve anon kah reagimi. Dy javët e protestës i dhanë rinisë studentore një paradigmë të fuqishme: Ne nuk na përfaqëson njeri, jemi ne ata që përfaqësojmë veten. Ky postulat i lëvizjes tregon se sa të ndërgjegjshëm jemi berë ne në identifikimin e rolit të individit në demokracinë funksionale. Në demokraci individi vendoset në qëndër të cdo korpusi ligjor, apo institucional qoftë ai . Në protestë, nevojat e individit nuk mund të mbrohen prej askujt tjetër, vecse atij vetë., atij dhe ideve që individi guxon t´i bërtasë kudo ku e sheh të arsyeshme.
Pra, nuk është hic i rëndësishëm vendi ku protestohet, të paktën në këtë fazë ku ndodhet lëvizja jonë. Rëndësi paraqet bojkoti dhe vazhdimësia e tij deri atëherë kur pushteti të zprapset dhe ky model qeverisës t´i përkasë librave të histories. E teksa historia prêt me padurim studentët në gjirin e saj, kjo formë organizimi dhe vetëdije demokratike ka marrë vlera historike tanimë. Protesa jonë shënon gurin e themelit për organizimet e mëvonshme, atëherë kur njeriu do të jetë mik njeriut.
