Ditët e fundit është regjistruar një rritje e numrit të pacientëve me shenja të një kolle të zgjatur. Për shkak se shumë e konsiderojnë si virozë, pacientët paraqiten me vonesë te mjeku ku zbulohet se shkak ka qenë një tjetër problem. Një prej tyre sipas mjekes Marina Zoto në spitalin “Hygeja” janë edhe alergjitë.
Marina Zoto, mjeke në spitalin “Hygeja”: “Duhet të kemi parasysh që një virozë shoqërohet me kollë, por nëse kolla zgjat më shumë se disa ditë dhe për më tepër nëse përsëritet pas çdo viroze, të mendojmë se ndoshta bazë e kësaj mund të jetë alergjia”. Diagnostikimi i shpejtë mund të zbulojë edhe sëmundje të tjera.
Marina Zoto, mjeke në spitalin “Hygeja”: “Kolla mund të jetë një nga shenjat e astmës në alergji, dhe astma është shumë e shpeshtë tek fëmijët dhe tek të rinjtë. Gjithashtu, shikoj raste me komplikacione të inozitit, ku përsëri në shumicën e rasteve sinoziti duket se ka një bazë alergjike”.
Këshilla e Zotos shkon në marrjen e plotë të kurës.
Marina Zoto, mjeke në spitalin “Hygeja”: “Duhet të kemi kujdes që episodet të mos përsëriten dhe paralelisht bëj thirrje që mjekimet që rekomandohen të mos ndërpriten në mes sapo të ikin simptomat”.
Ndërsa, në rast të astmës, Zoto shton se mjekimi është i ndryshëm.
Marina Zoto, mjeke në spitalin “Hygeja”: “Nëse vërtetohet alergjia ne rekomandojmë ato që ne i quajmë si mjekime mbajtëse dhe që janë mjekime që ne i rekomandojmë ndoshta për 1 apo 2 muajt e ardhshëm në mënyrë që simptomat të qetësohen plotësisht dhe të mos kemi ri-acarime të astmës apo të simptomave të alergjisë”.