Categories Lajme

Ligji, sa lekë marrin policët e vjetër nëse hiqen nga puna

Në mbledhjen e fundit të qeverisë është miratuar projektligji për trajtimin financiar të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës.

Ulja e moshës mesatare në Policinë e Shtetit, tashmë, është formalizuar në një projektligj të miratuar nga qeveria, ndërsa në janar do të shqyrtohet në Parlament.

Sipas këtij projektligji, punonjësit e policisë do të përfitojnë trajtim financiar, edhe nëse largohen nga radhet e uniformave blu përpara se të dalin në pension.

Me të mbushur moshën e pensionit të pleqërisë, 55 vjeç, ata përfitojnë pension të plotë pleqërie, nëse përmbushin kriterin prej 30 vjet punë.

E njëjta mundësi vlen edhe për punonjësit e Gardës së Republikës dhe ato të Shërbimit për Çështjet e Brendshme, ndërsa trajtimi financiar përfitohet me kërkesë të punonjësit ose të titullarit të institucionit. Më pas, kjo kërkesë duhet të marrë miratim nga një Komision i Posaçëm përbërja e të cilit do të përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave.

Po ashtu në projektligj thuhet se, trajtimi financiar për punonjësit e policisë gjatë periudhës kalimtare, përpara se të dalin në pension, do të jetë 50 % e pagës neto që kanë marrë, në detyrën e fundit që kanë patur, kur janë ndërprerë marrëdhëniet financiare.

 

PROJEKTLIGJ
PËR TRAJTIMIN FINANCIAR TË PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT, GARDËS SË REPUBLIKËS DHE SHËRBIMIT PËR ÇËSHTJET E BRENDSHME DHE ANKESAT (SHÇBA), NË MINISTRINË E BRENDSHME, PAS NDËRPRERJES SË MARRËDHËNIEVE TË PUNËS

Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1
Qëllimi

Qëllimi i këtij ligji është t’u garantojë trajtim financiar punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme, në rast të ndërprerjes së marrëdhënieve të punës, përpara daljes në pension të plotë pleqërie.

Neni 2
Subjektet përfitues

Subjekte të përfitimit të trajtimit financiar, sipas këtij ligji, janë punonjësit e Policisë së Shtetit, punonjësit e Gardës së Republikës dhe punonjësit e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme, me gradë dhe që plotësojnë kriteret e përcaktuara në këtë ligj.

Neni 3
Vjetërsia në shërbim

Për efekt të përfitimit të trajtimit financiar, pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës, njihet si vjetërsi shërbimi, vjetërsia e shërbimit e përcaktuar në legjislacionin e posaçëm që rregullon veprimtarinë e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme.

Neni 4
Kriteret e përfitimit të trajtimit financiar

  1. Punonjësi i Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat përfiton trajtimin financiar sipas këtij ligji, pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës deri në plotësimin e moshës për pension të plotë pleqërie, kur:
    a) ka mbushur moshën 55 vjeç;
    b) plotëson 30 vite vjetërsi shërbimi në strukturat e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat apo në struktura të tjera shtetërore me gradë.
  2. Trajtimi financiar i punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme, sipas përcaktimeve në pikën 1, të këtij neni, është në masën 50% të pagës mujore neto, në momentin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës me shërbimin përkatës.
  3. Gjatë periudhës së trajtimit me pagesë kalimtare, sipas legjislacionit përkatës në fuqi, masa e trajtimit financiar, sipas këtij ligji, nuk duhet të kalojë masën e pagës mujore neto, në momentin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës me shërbimin përkatës.
  4. Trajtimi financiar përfitohet me kërkesë të punonjësit ose të titullarit të institucionit përkatës dhe miratohet nga Komisioni i Posaçëm. Përzgjedhja e përfituesve do të bëhet nga Komisioni i Posaçëm, sipas kritereve të moshës, të vjetërsisë në shërbim, aftësisë fizike të punonjësve dhe duhet të garantojë respektimin e parimeve të mosdiskriminimit, të objektivitetit, të transparencës dhe të paanshmërisë.
  5. Përbërja, organizimi dhe funksionimi i Komisionit të Posaçëm përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 5
Financimi

Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij ligji, mbulohen nga buxheti vjetor përkatës i miratuar për Ministrinë e Brendshme.

Neni 6
Indeksimi

Trajtimi financiar pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat indeksohet sa herë bëhet indeksimi i pensioneve, me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 7
Detyrimet e përfituesit, sipas këtij ligji

  1. Punonjësit e Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës dhe të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme, që përfitojnë trajtimin financiar sipas këtij ligji, kanë detyrimin të aktivizohen në shërbim deri në 700 orë në vit dhe, gjatë kësaj periudhe, kanë të njëjtat të drejta e detyrime si punonjësit e tjerë të shërbimit përkatës, me përjashtim të trajtimit financiar.
  2. Mosplotësimi i detyrimit të këtij neni është shkak për ndërprerjen e trajtimit financiar sipas këtij ligji. Ndërprerja e përfitimit të trajtimit financiar bëhet me propozim të titullarit të institucionit përkatës dhe miratim të Komisionit të Posaçëm.
  3. Rregullat dhe procedura për aktivizimin në shërbim, sipas pikës 1, të këtij neni, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 8
Dispozita kalimtare dhe të fundit

  1. Dispozitat e këtij ligji zbatohen vetëm për punonjësit e Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës dhe të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme, që plotësojnë kriteret e përcaktuara në nenin 4, të këtij ligji, dhe ndërpresin marrëdhëniet e punës pas hyrjes në fuqi të tij.
  2. Trajtimi financiar ndërpritet kur përfituesi rikthehet në Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës dhe Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, si dhe në rastet kur punësohet në sektorin publik.
  3. Trajtimi financiar, i përfituar nga ky ligj, nuk prek përfitimet që i lindin punonjësit të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës dhe të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme, nga legjislacioni në fuqi.

Neni 9
Nxjerrja e akteve nënligjore

Ngarkohet Këshilli i Ministrave që të nxjerrë vendim në zbatim të neneve 4, pika 5 dhe 7, pika 3, të këtij ligji, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e tij.

Neni 10
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Projektligji u miratua në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave./abcnews.al

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

FOTO/ Miliona euro të sekuestruara, ku i fshihnin paratë “baronët” e krimit shqiptar

SPAK ka njoftuar zyrtarisht mbi operacionin ku u goditën 7 grupe kriminale të rrezikshme në…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Arrestohet 28-vjeçari në Fier, pranga edhe blerësve

Një 28-vjeçar nga Memaliaj është arrestuar pasi u kap duke transportuar 1.2 kg lëndë narkotike…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

SPAK sekuestron 4.5 milion euro pasuri: Arrestohen 20 persona, kontrollohen 50 banesa

Pas një operacioni që vetë Struktura e Posaçme Anti-korrupsion bën të ditur se zgjati 20…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

‘Metamorfoza’, arrestohet vëllai i Enver Stafukës, të rrëmbyerit dhe të zhdukurit në 2015

Policia e Shtetit ka arrestuar edhe Naim Stafukën, pjesë e operacionit “Metamorfoza” ku me kërkesë…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Media italiane: Rërë e butë, ujë i kristaltë dhe peizazhe që të lë pa frymë i shijoni në plazhet e Shqipërisë

Media italiane “Skyscanner” ka vlerësuar plazhet e Shqipërisë duke ftuar turistët që t’i kthejnë sytë…

LEXO ME SHUME