Sot do t’ju flas për një vepër që e kam dashur shumë, por s’është nga ata libra që krijojnë artifica për lumturinë dhe as ndonjë manual për të gjetur vetshpëtimin, ndonëse disave mund t’u duket i tillë. Romani pështillet si një shall prej mëndafshi mavi, me pala të shtypura dashurie, zhgënjimi e braktisjeje, rrotull qafës fisnike të Ana Kareninës. Stili i Tolstojit është kompleks,. Vëmendja e autorit ndaj detajeve është pothuajse klinike, por ky është njëherësh një avantazh për lexuesin, pasi në këtë mënyrë u ofrohet panorama e gjithçkaje, madje edhe spektri i ndjenjave më ogurzeza të shpirtit njerëzor.
Si dëshmi e asaj që Tolstoi mendonte për martesën në shoqërinë ruse të kohës, historia zë fill me një martesë në krizë, atë mes Dollit dhe Oblonskit, vëllai të Anës. Nga Shën Petersburgu, Ana thirret nga vëllai i saj për të ndërmjetësuar me të shoqen, e cila ka zbuluar tradhtinë e tij. Në stacionin e trenit të Moskës, Ana bëhet dëshmitare e vdekjes makabre të një punëtori, të shtypur nga një tren, aksident ky, që shënon fillimin e rënies së pashmangshme.
Tri marrëdhëniet e përshkruara nga Tolstoi janë simboli i një trinie fatesh të mundshme: Dolli dhe Oblovski janë pajtuar jo për hir të dashurisë, por për konveniencë. Përkundër mungesës së ndjenjave, martesa e tyre, bazuar në pranimin zyrtar të ligjeve hipokrite që qeverisnin shoqërinë ruse, ka sukses të garantuar. Levini dhe Kiti, çifti tjetër që operon si alegori e martesës, janë të vetmit që arrijnë paqen e vërtetë, dhe kjo falë rizbulimit të besimit në Zot nga Levini. Ndërsa Ana dhe Vronski janë vetë simboli i një dashurie të lindur jashtë kornizave shoqërore, të cilat, duke i thyer, garantojnë fundin tragjik të Anës dhe korruptimin moral të Vronskit.
Nën pretekstin e deshifrimit të historisë së falimentimit të dashurisë midis saj dhe Vronskit, Tolstoi trajton çështjet e tij të preferuara, mbi të gjitha, atë të hipokrizisë së shoqërisë Ruse, ku burrat dhe gratë ruanin çdo ditë marrëdhëniet jashtëmartesore me falsitetin dhe miratimin e të gjithëve, por ia konvergojnë të drejtën për ta dënuar dhe degdisur gruan, dhe jo burrin nga qarqet aristokratike. Ana braktis të shoqin dhe djalin e saj, duke tradhtuar rolin kryesor të një gruaje: atë të bashkëshortes dhe nënës. Ajo thyen një institucion të shenjtë siç është martesa, për të shpëtuar dhe për të jetuar me njeriun, të cilin dashuroi. Ana përfaqëson kritikën më të egër dhe në të njëjtën kohë demonstrimin e dukshëm të të gjitha hijeve dhe gënjeshtrave në të cilat bazohej shoqëria e lartë ruse.
Për Anën, e vetmja gjë me rëndësi është që të dashurohet nga Vronski, dhe kur ai jep provat se s’është tjetër veçse një njeri i papërsosur, larg idealeve të pikturuara në kokën e saj, xhelozia nis ta konsumojë, duke e fundosur në një spirale dëshpërimi dhe çmendurie, deri në vdekje. Ana, që përfaqëson instinktin, është e mbingarkuar dhe e drobitur nga pasioni. Dolli, e cila në vend të kësaj ndjek rregullat e parathëna, arrin ta shtypë xhelozinë, duke jetuar një jetë mediokre dhe një martesë pa dashuri, por, sipas moralit të kohës, ia del mbanë të jetojë denjësisht. Kiti, nga ana tjetër, ka besim në Zot, çka i dhuron asaj një martesë pa pasion, por të qetë dhe besnike.
Gabimi i njeriut është aspirata kongjenitale ndaj Lumturisë, impuls i cili, sipas Tolstojit, vetëm mendja e përsosur e Zotit mund ta konceptojë, te njeriu (i cili është i papërsosur), gjithçka që mbetet është të kuptojmë jehonën e lumturisë tek besimi, pasi përpjekja për ta kuptuar mëvetësisht, shpie detyrimisht në asgjësim. Me pak fjalë, Tolstoi është i idesë se njeriu nuk lind për të qenë i lumtur.