Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme (12 mars) në mars, ku kanë mbetur të plagosur me armë zjarri dy persona.
Nga të shtënat mbetën të plagosur studenti i Akademisë së Sigurisë, Gjergj Ndërshtiqa dhe kunati i tij Gjon Nika.
Të plagosurit aktualisht ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve, ndërsa në afërsi të vendit të ngjarjes është gjetur një automjet i djegur, i cili i përket të plagosurve. Dyshohet se mjeti është i përfshirë nga flakët për shkak të breshërisë së plumbave.
Në makinë kanë qenë tre persona, ku dy prej tyre kanë mbetur të plagosur.
Dyshohet se autorët janë dy, të cilët kanë qëlluar me armë zjarri kallashnikov dhe më pas janë larguar në drejtim të paditur.
Ngjarja ka ndodhur afër një lokali i cili ka kamera sigurie dhe policia po bën këqyrjen e tyre për identifikimin e autorëve. Autorët kanë djegur automjetin në një vend tjetër jo shumë larg nga ngjarja.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 19:30, në afërsi të një lokali në fshatin Grudë e Re, është qëlluar me armë zjarri shtetasi Gj. N., rreth 30 vjeç. Si pasojë e të shtënave është plagosur edhe kunati i tij, shtetasi Gj. N., 28 vjeç, student në Akademinë e Sigurisë. Të dy këta shtetas janë transportuar në spital, për ndihmë mjekësore.
Në ndihmë të Policisë vendore janë nisur disa grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe të RENEA-s, si dhe specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të zonës, për kapjen e autorëve, në afërsi të vendit të ngjarjes, kanë konstatuar duke u djegur një automjet tip “Renault”, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit.
Pas sqarimit të rrethanave të ngjarjes dhe në përfundim të veprimeve të para, do të ketë informacion më të detajuar për këtë rast.
