Categories Lajme

Maqedonia e Veriut miratoi propozimin francez/ Reagon Rama: Për hajër, më në fund s’ka më asnjë pengesë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas votimit në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut me 68 vota pro të propozimit francez që i hapë rrugë nisjes së procesit të integrimit për në BE.

Rama shprehet se negociatat për anëtarësim në BE nuk kanë asnjë pengesë pasi parlamenti i Maqedonisë së Veriut sapo ka ndezur dritën jeshile. Ai shton se tashmë pengmarrja e Shqipërisë ka marrë fund.

Kreu i qeverisë shton se u deshën tre vite nga vendimmarrja e KE për t’i hapur rrugë negociatave dhe mali i pengesave të ngritura para Shqipërisë të rrafshohet tërësisht.

Reagimi i plotë i kryeministrit Edi Rama

Negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian s’kanë më asnjë pengesë! Parlamenti i Maqedonisë së Veriut sapo ia ka ndezur dritën jeshile propozimit të fundit francez. Pengmarrja absurde e Shqipërisë ka marrë fund.

U deshën plot 3 vite të stërmundimshme nga vendimmarrja e Këshillit Europian për t’i hapur rrugë negociatave, që vargmali i pengesave artificiale të ngritura përpara Shqipërisë të rrafshohet tërësisht. 3 vite të tëra top futbolli nëpër fushat e interesave të politikës së brendshme të vendeve anëtare – pa harruar edhe xhagajdurët e mëmëdheut, grata e non grata, që tërë këto vite nuk i lanë dy gurë bashkë, për ta bllokuar Shqipërinë për llogari të interesave mizerabël të politikës së tyre pa fe, pa atdhe, pa din e as iman. 3 vite me gjëma të pandara, nga tërmeti tek pandemia dhe tani mes pasojave të luftës në Ukrainë mbi çmimin e jetesës këtu e kudo në botë. Këto sfida të jashtëzakonshme kanë vënë në sprovë jo thjesht qeverinë, po karakterin tonë si vend, si bashkësi njerëzish dhe si shumicë qeverisëse natyrisht.

Ja kemi dalë përsëri! Siç ia dolëm me tërmetin e me pandeminë, kur thuajse askush nuk e besonte se do t’ia dilnim, do t’ia dalim edhe me krizën e re që ka sjellë lufta, po edhe me negociatat që do ta bëjnë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian.

Ja kemi dalë pa e ulur ritmin e reformave, të punës e të ndryshimit, pavarësisht premtimeve të pambajtura të BE-së. Do t’ia dalim duke e rritur më shumë ritmin, duke e përmirësuar më tej punën dhe duke e thelluar ende më tepër ndryshimin.

Ja kemi dalë pa u mposhtur nga zhgënjimet e as nga lëndimet jo të lehta të këtyre viteve. Do t’ia dalim duke vazhduar të nxjerrim mësime dhe duke mos ngurruar në korrigjimin e vetvetes.

Ja kemi dalë me kokën lart, duke arritur ta ngremë Shqipërinë në sytë e më të mëdhenjve, aty ku ajo s’ka qenë kurrë, e vlerësuar dhe e respektuar si e barabartë në çdo marrëdhënie ndërkombëtare. Por të mos e harrojmë, ky nuk është fundi i rrugës sonë, por vetëm fillimi i një pjese të re të rrugës për Shqipërinë që duam.

Delegacioni shqiptar do të niset të hënën në Bruksel për ta filluar këtë pjesë të re rruge, duke filluar negociatat e anëtarësimit. Do t’ia dalim në krye edhe kësaj pjese të re përpjekjesh, duke u lidhur më ngushtë me shqiptarët dhe duke e synuar me forca të reja majën ku do ta ngjisim me se s’bën Shqipërinë.

Faleminderit të gjithëve ju, që më mbështesni e inkurajoni apo më ngacmoni e nxini jetën me komentet tuaja.

Faleminderit të gjithë shqiptarëve që me votën e tyre, na e kanë besuar neve, socialistëve e progresistëve, këtë mision historik për Shqipërinë dhe po ashtu, faleminderit, atyre që duke mos na e dhënë votën, na kanë bërë më luftarakë e kokëfortë për misionin e Atdheut tonë të përbashkët.

Faleminderit miqve e partnerëve tanë, që të gjithëve, për mbështetjen, kritikat, por edhe për refuzimet e viteve të fundit, të cilat na kanë ushqyer forcën, kalitur durimin dhe mprehur urtësinë.

Faleminderit në fund, por jo për nga rëndësia, edhe Lindës e fëmijëve, që mbajnë në këtë rrugë barrën e një sakrifice të mundimshme, të cilën veç ata e askush tjetër mund ta kuptojnë dot se çfarë halli është.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

EMRI/ Në kërkim për vrasje, arrestohet 40 vjeçari në Elbasan

Policia e Elbasanit ka arrestuar një 40-vjeçar, të shpallur në kërkim për tentativë vrasje. Burime…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Parashikimi i motit për sot, sa shkojnë temperaturat në fundjavë

Gadishulli i Ballkanit do të ndikohet nga rryma ajri më të ngrohta mesdhetare ku presim…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Fier/ Makina përplas këmbësorin, 71-vjeçari në gjendje të rëndë

Një aksident ka ndodhur në rrugën “Jani Bakalli”, në Fier. Një automjet ka përplasur këmbësorin…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Në krye të bandës shqiptarët, dënohen me burg 50 anëtarë të grupit në Selanik

50 persona janë dënuar nga Gjykata e Apelit në Selanik për trafikim të lëndëve narkotike në ambientet e Universitetit…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Goditi me send të fortë një grua pas sherrit për motive të dobëta, e pëson 51-vjeçarja, banuese në Vlorë

Policia e Fierit ka nisur hetim në gjendje të lirë ndaj një 51-vjeçareje, banuese në…

LEXO ME SHUME