Categories Lajme

Meta dekoron katër heronjtë e Betejës së Topanasë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, përkujtoi betejën historike të Topanasë së 18 tetorit 1942 në Vlorë, duke vlerësuar me Dekoratën “Nderi i Kombit” katër heronjtë, të cilët dhanë jetën e tyre të re për lirinë dhe sovranitetin e Atdheut.

Kreu i Shtetit nderoi me Titullin e lartë (pas vdekjes) Hajredin Bylishin “Për kontributin e shquar deri në flijimin e jetës në mbrojtje të lirisë interesit kombëtar dhe pavarësinë së vendit, Një ndër heronjtë dhe luftëtarët më të shquar në betejën e Topanasë në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, shembull frymëzimi për shqiptarët e gjithë brezave.”;

Hiqmet Buzin “Si një ndër heronjtë dhe luftëtarët më të shquar në betejën e Topanas ë në Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Për kontributin e shquar deri në flijimin e jetës në mbrojtje të lirisë, pavarësisë dhe interesit kombëtar, duke u bërë shembull frymëzimi për shqiptarët e gjithë brezave.”

Bajram Tushën “Për kontributin e shquar deri në flijimin e jetës në mbrojtje të lirisë interesit kombëtar dhe pavarësinë së vendit, Një ndër heronjtë dhe luftëtarët më të shquar në betejën e Topanasë në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, shembull frymëzimi për shqiptarët e gjithë brezave.”;

si dhe Mumin Selamin “Si një ndër heronjtë dhe luftëtarët më të shquar në betejën e Topanas në Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Për kontributin e shquar deri në flijimin e jetës në mbrojtje të lirisë, pavarësisë dhe interesit kombëtar, duke u bërë shembull frymëzimi për shqiptarët e gjithë brezave.”

Presidenti i Republikës çmoi gjithashtu Heroin e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare Resul Veli (Çelaj) “Për përkushtimin atdhetar, betejat e sakrificat deri në flijimin e jetës në mbrojtje të lirisë.

Një ndër heronjtë dhe luftëtarët legjendarë në qëndresën dhe drejtimin e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Burim frymëzimi për të gjitha gjeneratat e reja”.

Në fjalën e tij përshëndetëse me rastin e vlerësimit të pesë Heronjve, duke iu drejtuar familjarëve dhe pasardhësve të tyre, veteranëve të LANÇ-it dhe të pranishmëve në Teatrin “Petro Marko”, Presidenti Meta u shpreh:

“Të nderuar veteranë të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare,

Të dashur familjarë e të afërm të heronjve të Topanasë si dhe të heroit Resul Veli Çelaj,

Të nderuar përfaqësues të shoqatave të ndryshme patriotike,

Të nderuar pjesëmarrës!

Jam i lumtur që jemi bashkë në Vlorën e Flamurit, në Vlorën e Lirisë dhe të Pavarësisë, këtu ku shqiponja jonë dykrenare ka folenë e saj të përjetshme!

Vlora dhe vlonjatët mishërojnë si rrallë kush aspiratën dhe luftën e gjithë shqiptarëve për liri e pavarësi në të gjitha kohët.

Betejat e vlonjatëve dhe të gjithë Labërisë për mbrojtjen e trojeve tona të lashta janë betejat për mbijetesën e vetë kombit tonë.

Në çdo etapë të historisë, Vlora ka vulën e saj autentike, qysh nga Aulonët e lashtësisë, Principata e Aranitasve, kryengritjet e Pavarësisë, ngritja e Flamurit, epopeja e 1920-ës, Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe deri në ditët e sotme.

Vlora ka hyrë në histori si qytet hero. Vetëm në Luftën e Antifashiste ajo i dha vendit gjakun e 870 bijve dhe bijave të saj më të mirë dëshmorë dhe 18 Heronjve të Popullit.

Të nderuar përfaqësues të shoqatave atdhetare!

Vjet festuam me madhështi epopenë e lavdishme të Luftës së Vlorës. Së bashku vendosëm në piedestalin e nderit shumë nga komandantët heroikë të çetave të kësaj lufte të rëndësishme për fatet e shtetit shqiptar!

Sot kemi kënaqësinë të vlerësoj disa prej figurave më të ndritura të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare në Qarkun e Vlorës:

4 heronjtë e betejës së Topanasë – Hajredin Bylyshi, Mumin Selami, Bajram Tusha e Hiqmet Buzi, si dhe Heroin Resul Veli Çelajn – komandantin legjendar të batalionit partizan ‘Halim Xhelo’, të cilët kanë rënë heroikisht në luftën kundër fashizmit.

Të dashur miq!

Lufta në lagjen ‘Topana’ mbetet nga më të lavdishmet e të paharruarat në kujtesën e kombit dhe mbarë vendit tonë.

Në tetor 1942, Heronjtë e Topanasë, të rrethuar nga fashistët në të gjitha anët, në një shtëpi prej gardhi e balte, iu përgjigjën vetëm me flakën e armëve thirrjes së pushtuesve për t’u dorëzuar dhe luftuan heroikisht deri në fishekun e fundit.

Lufta e tyre në Topana kundër 400 milicëve dhe xhandarmërisë fashiste zgjati përmbi 4 orë, e ashpër dhe e pandërprerë.

Dhe populli do të këndonte: ‘Përdhesë e vogël në Topana,

Kish mure kallamash, po u bë kala…’

Në fushë betejë i pari ra Hajredini Bylyshi, më pas dhe Mumin Selami. Dhe pastaj Bajram Tusha. Dhe në fund fare mbeti më i vogli 15-vjeçari Hiqmet Buzi. Dhe ai sigurisht nuk mund të dorëzohej. Ashtu si Vojo Kushi një javë më parë kur mbeti i vetëm me granatën e fundit dhe u turr drejt tankut, edhe Hiqmet Buzi i vetëm, u turr drejt fashistëve, duke rënë dëshmor në një moshë kaq të njomë dhe duke dhënë një shembull të jashtëzakonshëm herozimi.

Heronjtë e rinj të Topanasë përsëritën madhështinë e aktit të mikut dhe udhëheqësit të tyre të ngushtë, Qemal Stafës, epopenë e heronjve të Shkodrës, të Jordanit e Kadisë, bashkë me Perlatin nga Vlora, atë të ‘Kodrës së Kuqe’ në Tiranë, ku Vojo Kushi së bashku me Sadik Stavalecin e Xhorxhi Martinin u përleshën heroikisht me fashistët.

Heronjtë e Topanasë me betejën dhe vetëflijimin e tyre të pashoq për çështjen e Atdheut ndezën flakë zemrat e shumë rinjve dhe të rejave vlonjate, gjithashtu nxitën aksionet dhe mbushën malet plot me të reja e të rinj nëpër beteja.

Jehona e pushkës së tyre u përhap në të gjithë Labërinë dhe mbarë Shqipërinë.

Të nderuar miq, Krahas tyre ne nderojmë sot edhe heroizmin e Resul Veli Çelajt, komandantit të batalionit ‘Halim Xhelo’, i cili ra heroikisht duke luftuar në betejën e madhe kundër pushtuesve nazistë në Qafën e Kiçokut në 7 dhjetor të vitit 1943.

Në këtë betejë të pabarabartë, Komandant Resuli, Komisari Kastriot Muço së bashku me shokët e tyre, shkruan me gjak një nga faqet më të ndritura të heroizmit, atdhedashurisë, vetëmohimit dhe trimërisë së popullit shqiptar në luftë kundër fashizmit.

Komandant Resul Veli Çelaj ka mbetur i gdhendur në kujtesën e kombit si mishërimi i patriotit të madh, luftëtarit lab, birit trim e të ditur të Tërbaçit dhe pasuesit të komandantëve historikë të Vlorës, i brumosur me atdhedashuri dhe besnikëri ndaj kombit!

Të nderuar pjesëmarrës! Flakët e betejave të Lagjes ‘Topana’ dhe të Qafës së Kiçokut kanë ndriçuar edhe më tepër ëndrrën për liri të çdo vlonjati e të çdo shqiptari që nga ajo kohë!

Ndaj ne jemi mbledhur të përkulemi me mirënjohje përpara figurës dhe kontributit të tyre të ndritur, dhe në cilësinë e Kryetarit të Shtetit kam kënaqësinë t’u akordoj sot Dekoratën e lartë ‘Nderi i Kombit’.

Gjithashtu dua t’ju siguroj se do të jemi edhe në të ardhmen me të tjera vlerësime duke nisur me lagjen ‘Partizani’, ku çdo rrugicë e së cilës mban një emër dëshmori dhe nga e cila u arrestuan dhe u internuan në kampet e vdekjes 104 vlonjatë, prej të cilëve vetëm dy i mbijetuan ferrit.

Vlerësimi i gjakut të derdhur prej tyre për Shqipërinë është borxhi, që ne të gjithë u kemi për të gëzuar lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin në saje të sakrificës së tyre sublime.

Është detyrimi ynë dhe i çdo brezi ndaj historisë sonë të përbashkët, por edhe ndaj së ardhmes europiane të Shqipërisë.

Ky nderim është edhe vlerësimi e respekti ndaj vetë integritetit dhe dinjitetit tonë si shqiptarë!

Ne sot nuk duhet të lejojmë nga askush që të eklipsohet drita e flakës së lirisë që ata ndezën! Lirinë mund ta mbrojmë vetëm duke forcuar demokracinë dhe duke refuzuar çdo lloj shtypje shoqërore.

Ndaj i ftoj të gjithë qytetarët e Vlorës që të marrin pjesë në zgjedhjet e 25 prillit dhe të tregojnë dinjitetin e tyre, dhe njëkohësisht edhe fuqinë e tyre përmes votës së lirë e të barabartë!

Në përfundim, në cilësinë e Presidentit të Republikës, do të doja t’i shpreh falënderimet për propozimet e Shoqatës Kulturore Mbarëkombëtare ‘Ismail Qemali’, Shoqatës Kulturore dhe Atdhetare ‘Labëria’, si dhe Shoqatës Kulturore Atdhetare të fshatit Tërbaç, të cilat me aktivitetin e tyre mbajnë gjallë tek brezat e rinj kujtimin e heronjve të luftës për liri dhe dashurinë për Atdheun!

Urime e suksese! Rroftë populli Vlorës! Lavdi kujtimit të ndritur të heronjve dhe dëshmorëve të Atdheut!”

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Plagoset me thikë 17-vjeçari në Korçë, arrestohet pas ngjarjes autori

Të përfshirë në konflikt mësohet se janë disa të rinj ku njëri prej tyre, i…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Përfituan 800 mijë euro, arrestohen dy magazinierë, dyshohet se vodhën mijëra kilogramë kafe në subjektin ku punonin

Dy magazinierë janë vënë në pranga nga policia, ndërsa ka nisur hetimi për një shpërndarës,…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Vrau me çekiç gruan e tij në Greqi, përballja dramatike e shqiptarit me nënën e Albës: Më kthe vajzën time…

Është mbajtur sot seanca e radhës e gjyqit për 39-vjeçarin shqiptar, Kastriot Cenko, i cili…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Nga student ekselent i Mjekësisë te hapja e varrit në Lushnje, historia tronditëse e 36 vjeçarit

Një ngjarje tronditëse u raportua këtë të martë, 21 prill, nga Lushnja, ku një 36…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Zbulohet baza e drogës në Shkodër, në pranga dy të rinj, në kërkim bashkëpunëtori!

Dy të rinj janë arrestuar në Shkodër, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim, pas zbulimit…

LEXO ME SHUME