Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka vizituar gjatë ditës së sotme Arkipeshkvinë e Tivarit, ku është pritur nga Imzot Rrok Gjonlleshaj me të cilin Meta ka diskutuar për rëndësinë që luan besimi në shërbim të bashkëjetesës dhe harmonisë sociale.
Presidenti shkruan në facebook:
“Shumë i lumtur të vizitoja Arkipeshkvinë një mijëvjeçare të Tivarit, ku u prita nga Imzot Rrok Gjonlleshaj, me të cilin biseduam për rëndësinë e jashtëzakonshme dhe universale që luan besimi në shërbim të bashkëjetesës dhe harmonisë sociale. Këtu kanë shërbyer shumë kolosë të besimit katolik, në veçanti i madhi Pjetër Bogdani si dhe përkthyesi i parë i Biblës në gjuhën shqipe, Dom Simon Filipaj”.
Më herët Ilir Meta ka vizituar edhe Katedralen e “Shën Pjetri Apostull” në tivar ku duke shprehur impresionet e tij ai shprehet se përgëzoi Dom Kelmend Spaçin dhe motrën Luljana Marku për përkushtimin ndaj besimtarëve dhe i ka falënderuar për mikpritjen.
“I impresionuar nga vizita në Katedralen e mrekullueshme të “Shën Pjetrit Apostull” në qytetin historik të Tivarit, ndërtuar edhe falë bujarisë së diasporës sonë dhe punës së jashtëzakonshme të mjeshtrave të arkitekturës, pikturës, skulpturës e punimit të gurit, të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare. Përgëzova Dom Kelmend Spaçin dhe motrën Luljana Marku për përkushtimin ndaj besimtarëve dhe i falënderova për mikpritjen e ngrohtë,” – shkruan Meta në facebook.




