Michael Jordan dhuron 100 milionë dollarë për luftën për barazinë racore. I konsideruar si basketbollisti më i madh i të gjitha kohërave, 57-vjeçari nju-jorkez, është shfaqur gjithmonë tepër aktiv për të luftuar për një kauzë të tillë.
Pas përshkallëzimit të situatës në Shtetet e Bashkuara për shkak të vdekjes së 46-vjeçarit George Floyd në Minneapolis, si pasojë e dhunës policore, legjenda e basketbollit të NBA ka treguar për dhimbjen e madhe dhe hidhërimin që ka ndjerë, duke shfaqur madje hapur zemërimin e tij për gjendjen e krijuar.
M.J. ka thënë se do të dhurojë plot 100 milionë dollarë për grupet që luftojnë për barazinë racore dhe drejtësinë shoqërore. Në një koment të tij 57-vjeçari nga Brooklyn shpjegoi se nëpërmjet Markës Jordan ai do ta shpërndajë një shumë të tillë, përgjatë një periudhe që shtrihet në kohë në harkun e një dekade.
Paratë do të shkojnë në favor të një numri të caktuar të organizatave, që po bëjnë përpjekje për të c’rrënjosur fenomenin e racizmit. Gjithçka vjen pas protestave masive dhe zemërimit që ka ngjallur anembanë Shteteve të Bashkuara si dhe në mbarë globin vdekja e George Floyd, si pasojë e dhunës së ushtruar në momentin e tij të arrestimit nga katër oficerë policie të Qytetit të Minneapolis-it. 46-vjeçari humbi jetën i asfiksuar, pas dhūnës së ushtruar nga oficeri i policisë Derek Chauvin, që i peshoi me gju dhe me gjithë peshën e trupit, në pjesën e qafës, për më shumë se 8 minuta.
