Historia e letërsisë mburret me skandalet që kanë bërë jehonë po aq sa edhe disa kryevepra. Këto histori me famë letrare, për fat, mashtruese dhe shkatërrimtare tregojnë se shpesh e vërteta është shumë më e çuditshme sesa trilli. Dhe nëse ka diçka që mbërthen vëmendjen e lexuesve më shumë sesa një histori triumfuese, është një histori vërtet skandaloze. Ja disa nga anekdotat më skandaloze të historisë së letërsisë!
Marrëdhënia e Truman Capote me vrasësin Perry Smith
I konsideruar si një kryevepër klasike e letërsisë, romani “Në gjakftohtësi” e Truman Capote, është një reportazh investigativ që dokumenton vrasjet brutale të familjes Clutter nga Holcomb i Kansasit, më 1959-ën. Por nuk është vepra që shkaktoi skandalin. Pas botimit, libri u kthye në një bestseller, i lavdëruar si një kryevepër nga kritikët dhe shpejt u kthye në një gur miljeje në letërsinë amerikane duke prezantuar një zhanër të panjohur deri atëeherë: krimi i vërtetë. Por sapo nisi suksesi i librit, nisën edhe thashethemet. A ishte dashuruar Capote me Perry Smith, më i heshturi dhe inteligjenti prej dy vrasësve i cili fantazonte se ishte një artist apo muzikant? A kishin një marrëdhënie në burgun e Kansasit, siç edhe një polic kishte hamendësuar, se Capote paguante rojat e burgut me shuma të majme që t ‘i linte ata vetëm?
Bob Dylan dhe akuza për plagjiaturë e fjalimit të tij në Çmimin Nobel
Shumë u habitën dhe u gëzuan kur zbuluan se Bob Dylan ishte shpallur fitues i Çmimit Nobel për Letërsinë. Duket se Dylan mund të ketë kopjuar pjesë të fjalimit të mbajtur pasi fitoi çmimin. Ka, në fakt, një sërë ngjashmërish të fjalimit të tij dedikuar romanit”Moby Dick” të Herman Melville, një prej më të cituarve të autorit. Një artikull i Slate, e akuzoi Dylan-in se kishte bërë atë që bëjnë fëmijët e shkollave çdo ditë. Marrin pasazhe nga librat e studimit dhe i kalojnë si detyrat e tyre. Autori Andrea Pitzer, analizoi fjalimin prej 4 mijë fjalësh të Dylan-it, duke thënë se 78 fjalitë e komentit mbi “MobyDick” gjeti të paktën 20 shembuj në të cilat frazat e testit të tij i ngjanin shumë guidës oline të “SparkNotes” për romanin. Për fansat nuk do të ishte hera e parë që idhulli i tyre akuzohet për plagjiaturë.
Por gjatë viteve, shumë studiues dhe kritikë i kanë mbrojtur teknikat e tij, duke i krahasuar me procesin e folklorit – në të cilin materiale nga e kaluara riciklohen dhe përshtaten për brezat e rinj. i pyetur në një intervistë të vitit 2012, në revistën Rolling Stone, sesi kishte huazuar nga Timrod dhe Dr. Saga pa ua atribuuar, Dylan do të përgjigjej “Në folk dhe xhaz, citimet janë një traditë e pasur dhe pasuruese,” dhe ankohej se përse ai ishte bërë subjekt i rregullave të ndryshme nga të tjerët.
Martesa e dështuar e Charles Dickens
Bashkimi dashuror mes Dickens-it dhe së shoqes përfundoi kur kjo e fundit mori një pako dhuratë , që i erdhi në shtëpi me një byzylyk ari shoqëruar me një pusullë e shkruar nga i shoqi dhe që i adresohej Ellen Ternan-it, aktores tetëmbëdhjetë vjeçare. Në vitin 1857, shkrimtari -asokohe një mesoburrë – nisi një lidhje jashtë martese me adoleshenten Ellen “Nelly” Ternan, që do të përfundonte vetëm kur Dickens të vdiste, 13 vjet më vonë. Dickens ndërmori rrezik të madh me këtë pasion, pasi ishte një yll i letërsisë dhe e kishte vendosur veten si etalon të virtytit të familjes: baba i nëntë fëmijëve, romanet e të cilit ngritën lumturinë shtëpiake si ideali i moralit. Dhe e donin për këtë. Sot do e shihnim si romancë, por para 150 vitesh, shkrimtari më i famshëm në botë ishte i aftë ta fshihte historinë aq mirë, saqë kur një biografi e vitit 1939 e shkruar nga e bija, Katey Dickens, përmendte lidhjen dhe lindjen e një fëmijë si fryt i saj, pati kundërshtime publike dhe njerëz që e quajtën Katey-in “të çmendur”. Dickens e mbajti të fshehtë ndarjen nga e shoqja për të mos njollosur reputacionin e tij.
Skandali i “Tre filxhanëve të çajit”
Ky episod futet më thellë në mbretërinë e tragjedisë letrare sesa në atë të skandalit, ku dhe njëherë lexuesit u mashtruan. Në librin me kujtimet “Tre filxhanët e çajit”, botuar më 2007-ën, Greg Mortenson rrëfen historinë sesi kishte humbur pasi nuk kishte mundur t’i ngjitej majës K2, dhe sesi e kishte gjetur rrugën, i uritur dhe i çorientuar në një fshat të largët të Pakistanit. Aty, fshatarët e kishin mjekuar derisa ishte shëruar dhe në shenjë mirënjohjeje, ai kishte premtuar se do të kthehej për të ndërtuar një shkollë për vajza në atë fshat. Libri shiti 4 milionë kopje dhe qëndroi në listën e më të shiturve të Neë York Times për më shumë se katër vjet. Instituti i Azisë Qendrore, të cilin e themeloi për të mbështetur librin e për të promovuar kauzën e edukimit –me hapjen e 170 shkollave në Afganistan dhe Pakistan –tërhoqi fonde me një vlerë prej afro 60 milionë dollarësh, në një pjesë të vogël nga donacionet e lexuesve të prekur thellë, përfshirë edhe presidentin Barack Obama që dhuroi 100 mijë dollarë nga fitimet e çmimit të tij Nobel. Por një prej donatorëve u bë dyshues se ku shkonin fondet dhe nisi të hetonte ,duke zbuluar se asnjë nga ngjarjet që përshkruan libri nuk kishte ndodhur.
Mesa duket, pjesa më e madhe e këtyre shkollave rezulton krejt inekzistente dhe në të nesërmen e skandalit, bashkautori i Mortenson-it, David Oliver Relin ( që mesa dukej ishte i pafajshëm për mashtrimet e përhapura nga Mortneson) vrau veten. Mortenson heshti prej asaj dite dhe nuk dha sqarime se ku kishin shkuar fondet e bamirësisë, të cilat ai kishte mbledhur për të ndërtuar ato shkolla, që kishte premtuar. Në një intervistë, kur pas heshtjes së gjatë më në fund pranoi të fliste, tha se kishte kaluar shumë kohë duke u marrë me gabimet e tij. “Kam folur me njerëz dhe u kam kërkuar falje. Dua t’i këkroj falje të gjithëve. I kam zhgënjyer.”
Të shtënat e pistoletës të Rimbaud-së
Arthur Rimbaud –ja e takoi për herë të parë Paul Verlaine-in më 1871-shin. Rimbaud-ja ishte 17 vjeç , Verlaine 27. Të dy ishin brilantë dhe shumë të angazhuar në kërkimin për të renë, në art dhe në jetë. Rimbaud ishte poeti i ri në kërkim të një mentori. Verlaine ishte poeti i ri në kërkim të aventurave – shtyrë edhe prej martesës mjerane me Matildën, të cilën e dhunontevazhdimisht. Kunati i Verlaine-it e përshkruan Rimbaud-në si “një djalosh të ligë, me vese dhe të pështirë”, por Verlaine e shihte si “një krijesë elegante”. Nuk e kishte problem që Rimbaud-ja lahej rrallë, linte jashtëqitje në jastëkun e mikut dhe hidhte acid sulfurik në pijen e tjetrit: për të mos folur sesi e goditi atë në kofshë, me një thikë që mbante të fshehur në mëngë. Por atëherë, ai ishte i dashuruar. Të dy u arratisën fillimisht në Bruksel e më pas në Londër.
Marrëdhënie e tyre përfundoi me një shuplakë ,me peshk të lagur, në fytyrë . Kur Verlaine u kthye një ditë në shtëpi, me një peshk dhe një shishe vaji, Rimbaud-ja nënqeshi. I tërbuar se po e tallte, Verlaine e gjuajti me peshk e më pas iku në Bruksel dhe kërcënoi me vetëvrasje. Pasi la peng rrobat e dashnorit, Rimbaud e ndoqi dhe në një hotel në Bruksel patën zënkën e fundit. Me armën që kishte planifikuar të vriste veten, Verlaine shtiu mbi krahun e Rimbaud-së. Poeti i mallkuar u burgos për dy vite, ndërsa i riu shkroi “Një stinë në ferr” duke përfshirë shumë referenca nga aventura e rrezikshme.