Categories Kulture

Nina Muho, sopranoja shqiptare e ftuar në operën sllovene

Nina Muho, sopranoja shqiptare e ftuar në operën sllovene, Nga Entela Binjaku

Nëse do të pyeteshin qytetarët në Shqipëri se cilat janë disa nga veprat e repertorit operistik botëror që njohin, me siguri një ndër përgjigjet e marra do të ishte “La Traviata”.

Mbase edhe një ndër veprat më të dashura. Ajo që e afron publikun me këtë operë madhështore të Xhuzepe Verdit është padyshim muzika që të çon zemrën peshë, janë skenat e bukura dhe plot shkëlqim, heroina që  të mbërthen me pasionin e saj, vuajtjen dhe sakrificën për dashurinë.

Violeta Valeri dhe Alfredoja i saj kudo ku interpretohen mirëpriten nga publiku që përqafon nga salla historinë e tyre të dashurisë. Kur sapo kishte mbyllur në Tiranë rolin e Mikaelës në operën “Karmen” të Bizesë, sopranoja e njohur Nina Muho udhëtoi drejt Mariborit ku e priste trupa e Teatrit Kombëtar të Sllovenisë.

Orkestra drejtohet nga dirigjenti Roberto Gianola i njohur për bashkëpunime të rëndësishme në drejtimin e disa prej orkestrave më të mira në  Evropë, SHBA dhe Azi, nga Rusia në Kinë e Japoni, në Amerikën e Jugut e deri në Emiratet Arabe. “La Traviata” po shfaqet për publikun slloven në dy mbrëmje dhjetori. Një kast i vetëm, nën regjinë e njërit prej emrave të njohur si argjentinasi Hugo de Ana.

Pjesëmarrës i rregullt në festivalin e Arenës së Veronës,  ai  shquhet për vendosjen ne skenë të veprave në Operën e Romës, Teatrin San Karlo të Napolit, Operën gjermane në Berlin, Operën Mbretërore në Londër, Teatrin Mbretëror në Madrid, Operën e Uashingtonit, Skalën e Milanos etj. Partneri në skenë i sopranos Nina Muho, e cila është e ftuara e veçantë në këto dy shfaqje është tenori slloven Martin Sušnik- që interpreton rolin e Alfredo Germontit.  “Muzika, që i bën jehonë dritës së salloneve dhe sallave të ballos, që portretizon betejat e brendshme tek njeriu, përshkon historinë intime dhe mjedisin në të cilin zhvillohet drama e një kurtizaneje të re të pakënaqur parisiene. Prandaj, nuk është për t’u habitur që Traviata fatmirësisht është e hapur ndaj shumë llojeve të interpretimeve regjisoriale, të cilat prekin thellë njerëzit modernë gjithashtu”, thuhet në njoftimin që faqja zyrtare e Operës së Mariborit ka bërë për këtë shfaqje.

Ndërkohë sopranoja vlonjate Nina Muho është dita-ditës duke u shndërruar në një emër të përveçëm e të spikatur të kantos lirike jo vetëm shqiptare, por edhe asaj ndërkombëtare.

Si publiku i Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë, ashtu edhe ai italian në Teatrin “Verdi” të Triestes, apo edhe i Operës Kombëtare të Zagrebit kanë pasur mundësinë të shohin Violeta Valerinë nën interpretimin e Nina Muhos. Dy vjet më parë sopranoja shqiptare e ndau natën e ndërrimit të viteve në skenë, ndërsa interpretonte me trupën e Teatrit “Verdi” të Triestes “La traviatën”.

Këtë shfaqje pati mundësinë ta ndiqte një publik i gjerë falë transmetimit televiziv drejtëpërdrejt përmes ekranit.  Nga një shfaqje tek tjetra derimë sot Nina ka interpretuar para publikut italian në teatrot e Triestes, Kaljarit, Katanias, Trevizos, ku jo vetëm ka debutuar, por edhe është rikthyer.

Nga Shqipëria në Kroaci, Itali e Tajvan, sot ajo po interpreton në Slloveni. Të dielën në mbrëmjen e 17 dhjetorit 2023 bashkë me trupën sllovene, dirigjentin Italian, nën drejtimin regjizorial të artistit argjentinas, sopranoja nga Shqipëria do të ngjitet sërish në skenë për t´i dhuruar publikut Violetën e saj.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Kulture

“Menorah” Libri i ri nga Deni Llanaj, një thriller psikologjik dhe provokues

Libri i ri “Menorah” nga Deni Llanaj vjen si një thriller psikologjik dhe provokues që…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Kinematografia shqiptare në zi, ndërron jetë aktori i njohur Birçe Hasko

Aktori i njohur i kinematografisë shqiptare Birçe Hasko ka ndërruar jetë në moshën 84 vjeçare.…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Vehbi Miftari, Ambasador i Kosovës pranë Selisë së Shenjtë dhe shkrimtar, rrëfen librin e tij të ri mbi rrënjët kulturore të kombeve dhe trashëgiminë e Ibrahim Rugovës

“Letërsia është universale, por lind gjithmonë nga një popull” Vehbi Miftari, Ambasador i Kosovës pranë…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

“GEO Magazine” artikull për turizmin në Shqipëri, Rama: Rritje me 80% e vizitorëve të huaj

Shqipëria turistike vjen sërish në vëmendjen e medias ndërkombëtare, këtë herë përmes artikullit të publikuar…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Franca fiton Junior Eurovision 2025, Shqipëria renditet në vendin e 6-të

Sipari i “Junior Eurovision Song Contest 2025” ka rënë pas një mbrëmjeje elektrizuese, ku Franca…

LEXO ME SHUME