Categories Lajme

Nipi i Isa Boletinit: Isa nuk luftoi që kulla e tij t’i bashkohet Serbisë

Në Veri të Kosovës, paralelizmi sot më 28 nëntor po prekte një nivel tjetër. Aty ku përfundonte vargu i flamujve kuq e zi, shfaqeshin ata të Serbisë.

Vetëm trupat e KFOR-it që ishin shpërndarë në distanca jo shumë të mëdha, po e thyenin këtë rregull. Derisa në fshatin Boletin të Zveçanit, shqiptarët po vizitonin kullën e Isa Boletinit për Festën e Flamurit, në qendër të Mitrovicës, serbët po i thurnin vargje “tokës së shenjtë”

Veriu sot ishte kthyer në destinacion i dy pelegrinazheve: i serbëve që po e vazhdojnë serinë e protestave ndaj vendimit të Qeverisë për taksën ndaj produkteve serbe, duke i kënduar Kosovës dhe Trepçës dhe i shqiptarëve, që shkonin në Kullën e Isa Boletinit për Festën e 28 Nëntorit.

Gjithçka po zhvillohej në një perimetër jo shumë të gjerë, në zonën e qyteteve veriore, që janë përfshirë në debatin e ‘korrigjimit të kufijve’.

Ekipi i Gazetës Express në mesditë qëndroi në Kullën e Isa Boletinit. Aty po përfundonin vizitën e tyre kryeparlamentari Kadri Veseli dhe kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Tema e ndryshimit të kufijve nuk ka kursyer as Kullën dhe varrin i Isa Boletinit. Kryeministri Ramush Haradinaj javë më parë deklaroi se bëhet fjalë për ndarjen e veriut. Sipas kryeministrit, plani i ndarjes e lë jashtë edhe fshatin Boletin, në të cilin janë rivarrosur eshtrat e heroit.

Për këtë temë për gazetën Express foli edhe Gazmend Boletini, nip i Isa Boletinit, i cili po bënte nikoqirllëk në kullën e stërgjyshit të tij.

“Ne jemi Kosovë. Isa nuk ka luftuar që Kulla t’i mbetët në anën tjetër” , tha ai.

Ai me tutje tregoi që kishin pritur qindra grupe të vizitorëve që për 28 nëntor shkojnë në Boletin.

Për gazetën Express foli edhe ish-ambasadori i Kosovës në Suedi, themeluesi KIPRED-it, Lulzim Peci, i cili ka qenë i zëshëm kundër idesë së ndryshimit të kufijve/ndarjes së Veriut.

“Pas 99’ës, kjo është ideja më e rrezikshme që është përballur Kosova. Kjo ide ka qenë edhe më përpara, mirëpo nuk ka pasur përkrahës. Problemi është se tash janë gjetur përkrahësit”, ka thënë Peci për Gazetën Express dhe T7.

Ai e quan tradhtinë më të madhe përkrahjen e opsionit të ndryshimit të kufijve, duke iu përgjigjur kryeministrit Edi Rama, sipas të cilit, kushdo që e quan tradhtar Hashim Thaçin është gomar.

Në afërsi të kullës, trupat e KFOR-it ishin shpërndarë në dy-tre pika të ndryshme.

Nga ana tjetër, në udhëkryqin në dalje të Lagjes së Boshnjakëve qëndronte një veturë e policisë së Kosovës. Në të gjitha atë zonë, vetëm uniforma e policit që rrinte jashtë veturës kishte shenjë të Republikës së Kosovës.  Lagjja e Boshnjakëve ishte mbuluar me flamuj kuq e zi për shkak të festës. Njëqind metra më në veri, të dy anët e rrugës ishin të mbushura me flamujt e shtetit serb.

Vetura e Policisë dhe automjetet e KFOR’it po qëndronin larg qendrës së Mitrovicën Veriore, ku ishin mbledhur protestuesit serbë.

Boletini dhe fshatrat përreth ishin mbushur me flamuj kuq e zi. Edhe veturat që destinacion kishin varrin dhe kullën e Isa Boletinit, mbanin flamujt e Shqipërisë.

Në qytetet veriore, aty ku përfundonin flamujt kuq e zi, fillonte vargu i flamujve serbë. Mëngjitë situatës tensionuese në Veri, sot të dy palët po festonin. Shqiptarët 28 nëntorin, e serbët që sot u mblodhën për herë të tretë për të protestuar rreth taksës të qind për qindtë ndaj produkteve serbe.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Horoskopi ditor për nesër, e Hënë 26 Tetor 2026

Dashi Ngjarjet e reja dhe stimuluese, si edhe ndryshimet e papritura, nuk ju trembin. Përkundrazi,…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

AGSH: 50 incidente ndaj gazetarëve gjatë protestave në Tiranë, 40 prej tyre të lidhura me Policinë e Shtetit

AGSH: 50 incidente ndaj gazetarëve gjatë protestave në Tiranë, 40 prej tyre të lidhura me…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

DIBËR/ Fermerët hedhin patatet në përrua: Nuk ka treg për shitje, shteti na ka braktisur

Fermerët e Dibrës që merren me kultivimin e patates po përballen sërish këtë vit me…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Horoskopi ditor për sot, e Shtunë 24 Tetor 2026

Dashi Marrëdhënia me partnerin do përmirësohet mjaft gjate kësaj dite. Do i kuptoni gabimet e…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

“Mami, kam frikë, mësuesja më godet”/ Nëna e 4-vjeçarit në Korçë rrëfen tmerrin në kopsht: E gjeta duke i bërtitur

Detaje të reja janë zbardhur lidhur me arrestimin e edukatores në Korçë, e cila u…

LEXO ME SHUME