Trajneri Franko Lerda ka jo pak dhembje koke në prag të derbit të kryeqytetit, sfidës që mund të vulosë dhe fatet e tij në krye të kampionëve të Partizanit. Sikur të mos mjaftojë fryma kundër në ekip por edhe në opinionin e kuq, italiani që trashëgoi skuadrën e kuqe nga Skënder Gega, duhet të përballet dhe me formën jo të mirë të disa prej elementëve kyç të ekipit. Kështu në dyshim të fortë përpara kësaj sfidë janë Bruno Telushi dhe Deian Boldor, të dy me probleme fizike.

Mesfushori vlonjat, një nga liderët e skuadrës, u detyrua ta braktiste sfidën me Bylisin në pjesën e parë për shkak të një dëmtimi, ndërsa rumuni nuk u aktivizua fare. Stafi i kuq do të kërkojë t’i rikuperojë dy titullarët deri në çastet e fundit, ndërsa në rast të kundërt, Lerda do të luajë sërish me 4 mbrojtës, duke aktivizuar në qendër dyshen Bitri-Belica dhe nga krahët Kordieron dhe Trashin. Në mesfushë, vendin e Telushit pritet ta zërë një mes Kotes dhe Brojës, teksa Romero pritet ta nisë edhe njëherë si titullar bashkë me Malën.

