Ky vit do të jetë më i nxehti në histori pas një nëntori “të jashtëzakonshëm” që u bë muaji i gjashtë me radhë që theu rekord, tha të mërkurën monitoruesi i klimës në Evropë, duke shtuar presionin mbi bisedimet e COP28 për të vepruar ndaj ndryshimeve klimatike.
Muaji i kaluar theu rekordin e mëparshëm të nxehtësisë së nëntorit, duke e shtyrë temperaturën mesatare globale të vitit 2023 në 1.46 gradë Celsius më të ngrohtë se nivelet para-industriale, tha Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike të BE-së Copernicus.
U paralajmërua që herët, që ky vit mund të merrte titullin e vitit më të nxehtë nga viti 2016 – veçanërisht thyrejes së rekordeve në shtator dhe tetor – por kjo është hera e parë që konfirmohet.
Nëntori gjithashtu përmbante dy ditë që ishin 2 gradë Celsius më të ngrohta se nivelet para-industriale. Asnjë ditë e tillë nuk ishte regjistruar më parë.
Samantha Burgess, nënkryetare e shërbimit Copernicus, tha se viti 2023 “ka pasur gjashtë muaj rekord dhe dy sezone rekord”.
“Temperaturat e jashtëzakonshme globale të nëntorit, duke përfshirë dy ditë më të ngrohta se 2 gradë Celsius mbi nivelin para-industrial, do të thotë se viti 2023 është viti më i ngrohtë i regjistruar në histori”, tha ajo.
Shkencëtarët thonë se të dhënat nga bërthamat e akullit, unazat e pemëve dhe të ngjashme sugjerojnë se ky vit mund të jetë më i ngrohti në më shumë se 100,000 vjet.
Sipas Copernicus, të dhënat e të cilit shkojnë në vitin 1940, 11 muajt e parë të këtij viti kanë qenë 0,13C më të nxehtë se në vitin 2016, viti më i ngrohtë i mëparshëm. Temperaturat globale në gjysmën e dytë të këtij viti besohet se janë nxitur pjesërisht nga modeli i motit El Nino, i cili ka shkaktuar më pak “anomali” deri më tani në 2023 sesa në 2015-2016, tha shërbimi Copernicus. Shtatori deri në nëntor, tre muajt që shënojnë vjeshtën në hemisferën veriore, ishin më të nxehtit ndonjëherë “me një diferencë të madhe”, sipas Copernicus. Vetëm nëntori ishte 1.75C më i ngrohtë se nivelet para-industriale.
Numra të tillë mund të sugjerojnë se bota po i afrohet në mënyrë të pakëndshme ngrohjes me 1.5 gradë Celsius që nga koha para-industriale.
