Protestuesit e 1 Majit në Greqi sollën sot rregullat e koronavirusit në lëvizjen e tyre, teksa ruanin distancën para selisë së parlamentit në Athinë. Protestat e ditës ndërkombëtare të punëtorëve që zakonisht mbledhin mijëra njerëz në 1 Maj në të gjithë Evropën, ishin anulluar ose ndaluar këtë vit prej pandemisë.
Edhe Greqia nxiti sindikatat të shtynin protestat e tyre por qindra studentë e punëtorë u mblodhën jashtë parlamentit, duke ruajtur distancimin dhe duke mbajtur maska. Në Paris policia arrestoi disa protestues që sipas mediave ishin të paktë, pasi eventet e zakonshme të 1 Majit ishin anulluar prej koronavirusit. Atje sindikatat nxisnin njerëzit të brohorisnin nga ballkonet e shtëpive.
Në Berlin, protestuesit e majtë ishin zotuar të zbatonin distancimin social dhe me to u bashkuan të tjerë që protestonin kundër bllokadës së koronavirusit. Në Greqi protestusit kishin përdorur shenja në tokë për ruajtur distancën dhe qindra njerëz u bashkuan në protestën e organizuar nga grupimi i majtë PAME.
Protestuesit valëvisnin flamurë e mbanin pankarta ku shkruhej “Nuk sakrifikojmë për shefat”.
Në Portugali sindikata kryesore CGTP organizoi një grumbullim në sheshin e madh ku përfundon çdo vit parada e 1 Majit. Në Finlandë pak njerëz u grumbulluan rreth statujës Manta që është epiqendra e festivalit tradicionla të 1 Majit, teksa policia nuk lejonte grumbullime prej më shumë se 10 njerëzish.