Ditën e sotme kryeministri Rama ka shkarkuar nga puna Drejtorin e Hipotekës së Durrësit, pasi Ardian Iljazaj refuzoi të zgjidhte një çështje hipotekore të një qytetari me pretekstin se i kishte shkruar në platformën e Bashkëqeverisjes.
Shkarkimin kryeministri e ka bërë live nga ERTV, ku ka thënë se ka shkarkuar një halabak. Shkarkimi ka ndodhur pas denoncimit të një rasti në emisionin investigativ “Fiks Fare”.
Para një viti kur u emërua Iljazaj premtonte se institucioni i drejtuar prej tij do të trajtonte me seriozitet ankesat e qytetarëve që vinin nga Platforma e Bashkëqeverisjes me qytetarët.
Ndërkohë që qytetari që denoncoi ngjarjen kishte gjashtë vite që sorollatej lartë e poshtë në qytetin e Durrësit e nëpër institucione.
Deklarata e dikurshme e drejtorit të shkarkuar:
“ZQRPP Durrës është e angazhuar maksimalisht në lidhje me trajtimin e ankesave të qyetatarëve që përcillen në ZRPP nga Platforma e Bashkëqeverisjes me qytetarët.
Për këtë është ngritur një grup pune pranë institucionit tonë e përbërë prej specialistë, juristë dhe hartografë që merren me trajtimin e këtyre ankesave brenda afateve ligjore, zgjidhjen e rasteve konkrete dhe kthimin e përgjigjeve por dhe pajisjen me dokument pronësie për rastet e qyetarëve që janë ankuar nëpërmjet portalit të Bashkëqeverisjes.”
