Familjet lezhiane që humbën shtëpitë nga tërmeti i 26 nëntorit do të marrin nga 12600 në 20 400 lekë si bonus qiraje gjatë kohës së rindërtimit. Bashkia e Lezhës, rriti nivelin e pagesave me detyrim nga prefekti i Lezhës. Këshilli Bashkiak i Lezhës miratuar rritjen e vlerës së bonusit të qirasë për 160 familjet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.
Pak ditë më parë çështja e bonusit të qirasë u kundërshtua nga prefekti Gjokë Jaku për shkak se vlera ishte më e ulët sesa ajo që ishte përcaktuar nga vetë qeveria. Sipas vendimit të Këshillit Bashkiak, bonusi i qirasë për banesat 1+1 nga 10.000 lekë do të jetë 12.600, për ata me strukturë 2+1 nga 14.000 lekë do të bëhet 15.400 dhe nga 18.000 lekë për banesat 3+1 do të bëhet 20.400. Kryebashkiaku, Pjerin Ndreu, tha se kjo është faza e parë e familjeve që do të trajtohen me bonus qiraje pasi procesi po vazhdon. Ai garantoi se brenda kësaj jave do të përfundojë vlerësimi i objekteve dhe do të merret një vendim për shembjen e tyre.
Ndreu: Për pak ditë do të mbledhim këshillin prapë dhe do të marrim vendim për shembjen e disa objekteve. Duhet të ecim shumë shpejt, duhet ti paraprijmë me shpejtësi akomodimit të qytetarëve që na presin ne. Për këshilltarin bashkiak të PSD-së, Agustin Marku, do të jetë e vështirë që këto familje të gjejnë banesa me çmimin që është miratuar pasi tregu i qirave është rritur. Marku: Absolutisht nuk mund të marrësh banesa me atë çmim që i kemi miratuar ne sepse i kanë rritur. Sipas vendimit të qeverisë, familjeve të prekura në Lezhë, por edhe në Durrës, Krujë dhe Tiranë do tu paguhet qiraja deri në rindërtimin apo rikonstruksionin e banesave që u janë dëmtuar.
