Categories Kulture

Shkëmbimet midis ministrit të parë shqiptar në SHBA dhe Presidentit amerikan

Nga Aurenc Bebja “The United States Daily” ka botuar, të martën e 12 tetorit 1926, në faqen n°3, shkëmbimet midis ministrit të parë shqiptar në SHBA Faik Konica dhe presidentit amerikan Calvin Coolidge në dhomën blu të Shtëpisë së Bardhë, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :

Ministri i Shqipërisë i dorëzon letrat (kredenciale) Presidentit.

Faik Konica, i dërguari i parë i kombit të tij në Shtetet e Bashkuara, vlerëson ndihmën e Amerikës.

Faik Konica, ministri i parë shqiptar në Shtetet e Bashkuara, së fundmi u prit zyrtarisht nga Presidenti Coolidge në dhomën blu të Shtëpisë së Bardhë. Në prezantimin e letrave të tij kredenciale, Ministri tha se ndjenjat e tij të dashurisë dhe respektit për Shtetet e Bashkuara “forcohen ende nga një ndjenjë e gjallë mirënjohjeje për mbështetjen bujare të dhënë nga Shtetet e Bashkuara për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë pas Luftës së Madhe”. Në përgjigjen e tij, Presidenti shprehu ndjenja të ngjashme nga ana e qeverisë dhe popullit të Shteteve të Bashkuara.

Deklarata e ministrit të ri. Tekstet e plota të dy fjalimeve, të bëra publike në Departamentin e Shtetit, vijojnë si më poshtë : Fjala e ministrit të ri shqiptar z.Faik Konica gjatë dorëzimit të letrave kredenciale :

Z. President, Kam nderin t’i paraqes Shkëlqesisë suaj letrat kredenciale me të cilat Presidenti i Republikës së Shqipërisë më emëron të Dërguar të Jashtëzakonshëm dhe Ministër Fuqiplotë në Shtetet e Bashkuara.

E konsideroj veten me fat që dallohem si i Dërguari i parë i Shqipërisë pranë kombit të madh amerikan, një komb që kam mësuar prej kohësh ta dua dhe ta respektoj dhe historia e lavdishme dhe arritjet e mrekullueshme të të cilit admirohen sinqerisht nga populli shqiptar.

Këto ndjenja të thella forcohen ende nga një ndjenjë e gjallë mirënjohjeje për mbështetjen bujare të ofruar nga Shtetet e Bashkuara për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë pas Luftës së Madhe.

Kështu, misioni im, i cili konsiston në forcimin e mëtejshëm të miqësisë mes kombit tuaj të madh dhe Shqipërisë, bëhet detyrë tërheqëse për mua. Unë do ta realizoj atë me të gjitha mundësitë e mia, nën kujdesin dhe vullnetin e mirë të administratës së Shkëlqesisë suaj.

Përgjigjja e Presidentit. Përgjigjja e Presidentit ndaj fjalëve të ministrit të sapoemëruar shqiptar z.Faik Konica gjatë dorëzimit të letrave kredenciale :

Z. Ministër, Është kënaqësi të marr nga duart tuaja letrat me të cilat Shkëlqesia e Tij, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, ju akrediton si të dërguarin e jashtëzakonshëm dhe ministër fuqiplotë në Shtetet e Bashkuara. Jam veçanërisht i lumtur t’ju akordoj njohjen zyrtare si i dërguari i parë i kësaj republike në këtë Kryeqytet. E vërej me vlerësim të sinqertë komentin tuaj në lidhje me kombin amerikan dhe ndjenjat që mbahen (ekzistojnë) në Shqipëri ndaj këtij vendi.

Ju mund të jeni të sigurt, zoti Ministër, se përpjekjet tuaja për të ruajtur dhe forcuar marrëdhëniet miqësore që ekzistojnë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë do të kenë bashkëpunimin tim të sinqertë dhe të zyrtarëve të kësaj qeverie.

Ju falënderoj për urimet e mira që shprehni në emër të kombit shqiptar. Janë përzemërsisht reciproke dhe shpresoj që ju do t’i përcillni Shkëlqesisë së Tij, Presidentit të Republikës së Shqipërisë, nga unë dhe bashkatdhetarët e mi, garancitë e respektit të lartë dhe të sinqertë. Shpresoj, z. Ministër, që qëndrimi juaj në këtë kryeqytet të jetë i këndshëm.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Kulture

Franca fiton Junior Eurovision 2025, Shqipëria renditet në vendin e 6-të

Sipari i “Junior Eurovision Song Contest 2025” ka rënë pas një mbrëmjeje elektrizuese, ku Franca…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Befason Ema Andrea, aktorja nderohet me çmimin prestigjioz italian “Premio Adelaide Ristori 2025”

Aktorja shqiptare, Ema Andrea është shpërblyer me çmimin prestigjioz italian, “Premio Adelaide Ristori 2025”, për…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Takimi  i pa harruar  me Kadarene, Nga Arben  Meksi

Takimi  i pa harruar  me Kadarene Botuesi  i vepres se  Ismail Kadarese ,Bujar Hudhri,here pas…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Fest Folk 2024 “Sofra Konispolate”, nata e dytë me dhjetra grupe artistike nga Konispoli, Saranda, Delvina, si dhe nga mbarë Shqipëria dhe Kosova

Për dy netë radhazi, me nismën e bashkisë së Konispolit dhe mbështetjen e Këshillit të…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Në Pallatin e Kulturës “Labëria”, u zhvillua faza finale e festivalit “Gurra Folk Fest”, edicioni i VI

Për të gjashtin vit radhazi, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë, në koordinim me Drejtorinë…

LEXO ME SHUME