Categories Kulture

Shqipëria në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Torino, me më shumë se 200 tituj

Shqipëria dhe letërsia e saj janë të pranishme edhe këtë vit, me një stendë të posaçme, në Panairin Ndërkombëtar të Librit, edicioni i 33-të i të cilit zhvillohet në Torino nga data 14 deri më 18 tetor 2021. I vizituar çdo vit nga qindra mijëra vizitorë nga e gjithë Italia, Panairi Ndërkombëtar i Torinos është ngjarja më e madhe e më e rëndësishme letrare e vendit fqinj. Stenda e Shqipërisë, e organizuar dhe menaxhuar për të tetin vit radhazi nga Qendra e Kulturës Shqiptare (www.centroalbanese.it) ofron për publikun italishtfolës më shumë se 200 tituj, të mbi 80 autorëve bashkëkohorë shqiptarë, të botuar nga 31 shtëpi të ndryshme botuese.

Interesi i publikut të panairit ndaj letërsisë së autorëve shqiptarë është i lartë. Krahas veprave kryesore të Kadaresë, që po ribotohen gradualisht në gjuhën italiane, mjaft të vlerësuara e të kërkuara nga vizitorët janë edhe librat e autorëve të tjerë bashkëkohorë si Ylljet Aliçka, Fatos Kongoli apo Arben Dedja, veprat e të cilëve janë të disponueshme edhe në italisht. Një vend krejt të veçantë në vëmendjen e publikut vijojnë të kenë, vit pas viti, edhe autoret e mirënjohura shqiptare Anilda Ibrahimi, Elvira Dones dhe Ornela Vorpsi, të cilat e kanë arritur suksesin me vepra të shkruara drejtpërdrejtë në gjuhën e shtetit fqinj.

Falë bashkëpunimit të vyer ndër vite edhe me disa shtëpi botuese shqiptare, krahas librave në gjuhën italiane lexuesit shqipfolës, që vizitojnë Panairin mund të  gjejnë pranë stendës edhe një përzgjedhje titujsh në gjuhën e tyre amtare. Ky koleksion i vogël, por i çmuar është veçanërisht i vlerësuar nga numri në rritje i të rejave e të rinjve shqiptarë, të lindur apo të rritur në Itali, të motivuar ta njohin më mirë, përmes letërsisë, vendin e tyre të origjinës.

Një tjetër prirje mjaft pozitive mes vizitorëve të Panairit është interesimi në rritje i udhëtarëve nga Italia për Shqipërinë si vendmbërritje turistike. Kjo ka sjellë edhe shtimin e konsiderueshëm të kërkesës për udhërrëfyesit turistikë “Albania & Kosovo” dhe “Tirana & Albania”, të dy tituj të autorëve Benko Gjata dhe Francesco Vietti, njohës të mirë të trashëgimisë dhe ofertës turistike shqiptare.

Prania shqiptare në Panair është një vitrinë e rëndësishme edhe për promovimin e njohjes së vendit tonë nga një publik i kualifikuar, i përbërë nga personalitete të spikatura të jetës publike në Itali. Kështu, gjatë ditëve të para të këtij edicioni të panairit, krahas një numri të lartë intelektualësh, studiuesish dhe gazetarësh të medieve të mëdha kombëtare, stenda e Shqipërisë është vizituar, ndër të tjera edhe nga guvernatori i Rajonit të Piemontit Alberto Cirio, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Torinos, Dario Gallina dhe kandidati për Kryetar Bashkie i Torinos, Stefano Lo Russo.

Një përmasë që e ka shoqëruar çdo vit pjesëmarrjen me stendë në Panair janë edhe takimet letrare me autorë të spikatur shqiptarë. I ftuar nderi i këtij edicioni është shkrimtari i njohur Arben Dedja, i cili paraqiti përballë publikut torinez librin e tij të ri me tregime “Trattato di Medicina in 19 Racconti e ½”, i shndërruar në pak kohë në një bestseller. Event kryesor i programit zyrtar të Panairit, ky takim u prit mjaft mirë nga të apasionuarit e letërsisë, që mbushën sallën e konferencave të godinës historike të Polo del ‘900-s, në Torino.

Qendra e Kulturës Shqiptare është një prej organizatave më jetëgjata e më aktive të diasporës shqiptare. Me seli në Torino dhe Milano, Qendra synon të përhapë në Itali njohjen e kulturës shqiptare, të promovojë zhvillimin e lidhjeve kulturore, sociale dhe ekonomike mes Italisë dhe Shqipërisë, si edhe të mbështesë integrimin e bashkësisë shqiptare, si pjesë e procesit më të gjerë të integrimit të Shqipërisë në BE.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Kulture

“GEO Magazine” artikull për turizmin në Shqipëri, Rama: Rritje me 80% e vizitorëve të huaj

Shqipëria turistike vjen sërish në vëmendjen e medias ndërkombëtare, këtë herë përmes artikullit të publikuar…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Franca fiton Junior Eurovision 2025, Shqipëria renditet në vendin e 6-të

Sipari i “Junior Eurovision Song Contest 2025” ka rënë pas një mbrëmjeje elektrizuese, ku Franca…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Befason Ema Andrea, aktorja nderohet me çmimin prestigjioz italian “Premio Adelaide Ristori 2025”

Aktorja shqiptare, Ema Andrea është shpërblyer me çmimin prestigjioz italian, “Premio Adelaide Ristori 2025”, për…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Takimi  i pa harruar  me Kadarene, Nga Arben  Meksi

Takimi  i pa harruar  me Kadarene Botuesi  i vepres se  Ismail Kadarese ,Bujar Hudhri,here pas…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Fest Folk 2024 “Sofra Konispolate”, nata e dytë me dhjetra grupe artistike nga Konispoli, Saranda, Delvina, si dhe nga mbarë Shqipëria dhe Kosova

Për dy netë radhazi, me nismën e bashkisë së Konispolit dhe mbështetjen e Këshillit të…

LEXO ME SHUME