Categories Lajme

Skandal në Librazhd/ Mjeku i dehur në orar të punës, vlerëson personat për kemp

Rasti ka ndodhur në Librazhd dhe mjeku i familjes Balluk Troka në orarin e punës është i dehur. Mjeku gjithashtu është  pjesë e KMCAP Librazhd, ku merret me komisionimin e personave të paaftë për punë e invalidëve.

Gazetarët e Fiksit, të interesuar për një rast të cilit i është hequr kempi, e gjejnë mjekun në krye të detyrës në orën 14:00 të dehur, aq sa nuk arrin dot as të flasë e t’i shqiptojë fjalët siç duhet. Kjo duket qartë në intervistën që Fiksi pati me mjekun ku ai nuk kuptohet apo përgjysmon fjalët gjatë bisedës.

Në Fiks Fare u ankua Anxhela Kurti, nënë e 4 fëmijëve. Ajo tregoi gjendjen e keqe ekonomike në të cilën jeton familja e saj. I shoqi, Taulant Kurti, vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe prej një viti i është hequr kempi. Familja e saj që së shpejti pritet të shtohet edhe me fëmijën e 5-të, jetojnë vetëm me ndihmë ekonomike me një shumë prej 10 mijë lekësh.

Jetojnë me qira, fatmirësisht bonusi i qirasë i paguhet nga bashkia. Anxhela thotë se i shoqi vuan nga depresioni dhe ka bërë edhe ndërhyrje në kokë. Prej shumë vitesh ka qenë përfitues i kempit, por prej një viti atij i është ndërprerë. KMCAP Librazhd ia ka ndërprerë kempin, Taulanti e ka ankimuar këtë vendim dhe dosja ka kaluar  në Kempin Epror në Tiranë, nga i cili ende nuk ka marrë një përgjigje.

KMCAP Librazhd nuk e ka shpallur përfitues pasi sipas Anxhelës i kanë thënë se diagnoza që ka Taulanti nuk e përfiton. Ndërkohë që diagnoza e Taulant Kurtit nuk ka ndryshuar, është e njëjta me atë që ka përfituar kemp para 1 viti.

Gjendja e familjes pas heqjes së kempit është përkeqësuar sa më ato pak të ardhura që kanë paguajnë drita e ujë, e me pas për t’u ushqyer që është pjesa më e madhe e muajit, i ndihmojnë komshinjtë dhe ato pak ndihma që u jep shërbimi social i bashkisë.

Plus Anxhela nuk mund të punësohet vetë, pasi ka 4 fëmijë për t’u kujdesur. Gjithashtu është në pritje të fëmijës së 5-të dhe duhet të kujdeset dhe për bashkëshortin, i cili shpesh herë humb vetëdijen. Frigoriferi i familjes Kurti është bosh, ashtu si edhe dollapët pa ushqime, dhe kjo sipas Anxhelës është tabloja e përditshme e familjes së saj.

Fiksi u interesua tek Shërbimi Social në Bashkinë Librazhd, të cilët e njihnin gjendjen e familjes Kurti, por që sipas ligjit i ishte dhënë dhe ndihma ekonomike. Gjithashtu ata kishin ndihmuar me pako me ushqime kur kanë patur mundësi. Por në praninë e Fiksit punonjësi pohoi se rasti do t’i referohej kryetarit dhe nënkryetarit të bashkisë për një zgjidhje.

Takimi në zyrën e mjekut, i dehur në orar të punës

Fiksi u interesua edhe pranë KMCAP Librazhd për të mësuar se pse i është hequr kempi denoncuesit. Sapo hyjnë në zyrën e mjekut Balluk Troka pjesë e komisionit të KMCAP Librazhd ndjejnë erën e alkoolit. Gazetarja duke parë gjendjen e dehur të mjekut e pyet disa herë nëse është në gjendje t’u përgjigjet pyetjeve, por mjeku sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë. Ndërkohë që pamja, sjellja dhe e folura e tij e tradhtojnë.

Është ora 14:00 dhe mjeku i komisionimit në zyrën shtetërore kundërmon era alkool.

Rasti i Taulantit nuk i kujtohet fare, e kërkon emrin në regjistrat e tij por që nuk është i aftë të gjej gjë. Madje gjatë bisedës ai përgjysmon fjalët duke i thënë recetës-precetë dhe punonjëses sociale dëgjohet vetëm një ‘ssss’.

Në këto kushte ai thërret sekretaren për të shpjeguar gazetarët e Fiksit. Sekretarja shpjegon rastin dhe tregon se aktualisht dosja e Taulantit është në Kempin Epror dhe se nuk ka një përgjigje. Përsa i përket pyetjes së Fiksit se në lidhje me komisionet që do të vijojnë në vazhdim a është në gjendje që mjeku Troka të bëjë vlerësimin e tyre në gjendje të dehur, sekretarja ul kokën dhe del nga zyra.

E njëjta pyetje i drejtohet dhe vetë mjekut Troka, por që ai s’e pranon që është i dehur. Ai pohon se është duke punuar dhe se po plotësonte një ‘precetë’ (recetë).

Pyetjes se a është i aftë të vlerësojë një individë nëse duhet ta përfitojë apo jo kempin kur është në gjendje të pirë, mjeku Troka përgjigjet se asnjëherë nuk ka qenë i pirë dhe se është i aftë  “100%”. Por pamjet dhe çdo gjë tjetër janë prova që tregojnë të kundërtën, që mjeku është i dehur në orarin zyrtar të punës./ Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

E rëndë/ “Nuk ndihem mirë”, shqiptari ndërron jetë në farmaci

“Nuk ndihem mirë”. Fill pasi tha shqetësimin e tij, kolegu e çoi drejt farmacisë më…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Nga pritja te konferenca Rama-Zelensky, detaje nga Samiti për Ukrainën, që mbahet të mërkurën

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky pritet të mbërrijë mbrëmjen e sotme në Shqipëri, në kuadër…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Samiti për Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor, “blindohet” Tirana, bllokohen disa akse rrugore (Njoftimi)

Në datat 28 dhe 29 shkurt, në Tiranë, do të zhvillohet Samiti për Ukrainën dhe…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

EMRI/ Vritet shqiptari në Malin e Zi, pjesë e grupit kriminal, arrestohet autori i dyshuar

Një shtetas shqiptar, ish-pjesëtar i klanit Skaljar, Edmond Mustafa është vrarë mëngjesin e sotëm (27…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Omnitele konfirmon: One Albania ka rrjetin më cilësor në vend

Rrjeti i One Albania merr pikët maksimale për thirrjet zanore, data dhe përdorimin e aplikacioneve.…

LEXO ME SHUME