Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka qenë ditën e sotme te Kolegjit të Pavarur të Apelimit (KPA), sipas së cili ka dorëzuar një dokument inkriminues për prokurorin e Krimeve të Rënda, Gent Osmani, prokuror i çështjes “Babale”.
Në fjalën e tij para mediave, Salianji i cili është akuzuar për “Kallëzim të rremë” lidhur me këtë dosje, shprehet se Osmani nuk është caktuar prokuror i çështjes me anë të shortit, por është zgjedhur nga drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, pikërisht për ta manipuluar këtë dosje.
“Rikujtoj për publikun që prokurori Gent Osmani ka qenë një prokuror jo i shortuar, nuk ka rënë me short për çështjen për të cilën diskutojmë. Por është vendosur me urdhër të prokurores së krimeve të Rënda. Pra, është i vendosur dhe duket se për cilat arsye: për të prishur dhe manipuluar një dosje të trafikut të drogës dhe për ta kaluar atë në kallëzim dhe të rremë dhe padyshim për komunikimin për të cilin do të jeni në dijeni pak më vonë, është një komunikim miqësor, çka tregon që kanë folur shumë kohë më përpara“, tha ish-deputeti i PD-së.
Ai shtoise prokurori Osmani është vënë në shërbim të kryeministrit Rama dhe ish-ministrit Fatmir Xhafaj në veprimtari inkriminuese.
“Sapo dorëzova një CD me të dhëna përgjuese, të bëra me vendim gjykate nga ana e prokurorisë, në të cilat subjekti në rivlerësim, Gent Osmani, sot anëtar i KLP-së, një prej drejtuesve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili vendos për emërimin, shkarkimin apo transferimin e prokurorëve të çdo niveli, po ashtu edhe për krijimin e SPAK-ut, ka komunikuar në mënyrë jo vetëm miqësore, por edhe duke prishur dhe fshirë një pjesë të përgjimit, siç duket në përgjimin që do ta bëj publike edhe për mediat, me shtetasin Alfred Alizoti. E ka vendosur vetë në përgjim dhe ka komunikuar po kështu në mënyrë miqësore, pa lënë më pas asnjë lloj procesverbali, pa pasur asnjë lloj dokumentimi të të gjithë situatës së komunikimit me të dhe duket që është vendosur në mënyrë joprofesionale në shërbim të politikës dhe padiskutim të ish-ministrit Xhafaj, i cili e ka trysnuar për ta mbajtur peng në Kolegjin e Apelimit, sepse në KPK e ka kaluar vetingun”, u shpreh Salinji.
Ky veprim nga ana e ish-deputetit të PD-së vjen një ditë përpara se Osmani të dalë përpara Kolegjit të Pavarur të Apelimit (KPA). Ai u konfirmua nga shkalla e parë e Vetingut, por Komisioneri Publik ankimoi vendimin, duke kërkuar shkarkimin e tij nga detyra, me argumentin se nuk justifikon pasurinë. Bëhet fjalë për blerjen e një apartamenti, për të cilin Osmani ka deklaruar se një pjesë e parave janë marrë me kredi.
