Albi Mëcini ka dhënë dëshminë e tij para drejtësisë, ku shprehet se nuk ka lidhje me dy çantat e gjetuara nga Policia, të cilat kishin brenda rreth 21 kilogramë tritol. Mëcini u arrestua më 30 gusht nga Policia e Fierit teksa përgatitej të kryente një ngjarje të rëndë kriminale me lëndë plasëse.
Në dëshminë e tij për Policinë, të publikuar nga Klan, ai ka deklaruar se nuk ka dijeni për dy çantat me tritol dhe nuk i kishte pa ndonjëherë. Ai shprehet se nuk kishte dijeni për kapuçët e sekuestruar në automjetin që udhëtonte e as për persona të tjerë në makinë.
“Nuk kam dijeni për dy çanta të tilla dhe nuk i kam parë ndonjëherë ato se si ishin. Unë nuk kam dijeni për këta kapuçë që ndodheshin në automjetin që unë po udhëtoja. Nuk kam dijeni për persona të tjerë që të kenë qenë në automjetin tim”, u shpreh Mëcini.
Gjithashtu, ai ka rrëfyer të shkuarën e tij kriminale ku tregon se për herë të parë është dënuar në 2013 pasi ndihmoi shtetasin Admir Tafili i cili po vuante dënimin në burgun e Drenovës. Ai tregon se është dënuar sërish në vitin 2018 për vjedhje ku është dënuar me 3 muaj burg në Francë.
“Për herë të parë jam dënuar në vitin 2013. Unë doja të ndihmoja shtetasin Admir Tafili, i cili ishte duke vuajtur dënimin me burgim në burgun e Drenovës në Korçë. Më pas jam dënuar në vitin 2018, për vjedhje të çantës së një shtetasi. Çantën e vodhi një shoku im, por unë e mora përsipër. Më pas jam dënuar përsëri për vjedhje, vodha një banesë në Paris, Francë. Në Francë u dënova 3 muaj burg”, tha Mëcini para drejtësisë
