Categories Lajme

VOA/ Sveçla: Sulmuesit pjesë e organizatave ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e Veriut’

Situata dukej e qetë të hënën në veri të Kosovës, ndërsa rruga që çon për në fshatin Banjskë vazhdon të jetë e mbyllur nga njësitë e posaçme të policisë. Një ditë më parë në këtë fshat një pjesëtar i policisë së Kosovës mbeti i vrarë dhe të paktën dy të tjerë u plagosën gjatë përleshjeve me një grup të armatosur. Tre nga sulmuesit mbeten të vrarë, ndërsa policia tha se gjeti një sasi të konsiderueshme armatimesh në zonën e manastirit ortodoks të këtij fshati ku ishin strehuar sulmuesit.

Një veturë rëndë e blinduar, vetura xhip 24 copë, motorë 4×4 2 copë, mina kundër këmbësorisë 8 copë, zolla të mbushura 29 copë, predhë minahedhësi 82 milimetërsh 54 copë, predhë minahedhës 62 milimetërsh 88 copë, granatë dore 75 copë, mina antitanke 8 copë, eksploziv dinamit 150 copë, detonarë elektrikë 23 copë”, tha gjatë një konference me gazetarë në jug të Mitrovicës, drejtori i policisë së Kosovës Gazmend Hoxha.

Zoti Hoxha numëroi edhe sasi tjera të armatimit të sekuestruar, ndërsa tha se ende po vazhdon mbledhja dhe identifikimi i armatimit në zonë.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se në bazë të hetimeve të deritashme disa nga pjesëtarët e grupit që sulmuan policinë ishin pjesëtarë të “Brigadës së Veriut” dhe “Mbrojtjes Civile”, organizata këto që Kosova i ka shpallur si terroriste më herët gjatë këtij viti. “Nga kjo sasi e madhe e armatimit lehtësisht mund të kuptohet se ka pasur një plan të përfshirjes së qindra personave për destabilizimin e vendit tonë. Në armatimin që do të shihni ndër të tjera ka edhe armë ushtarake të vitit 2021 që janë furnizim nga ushtria e Serbisë”, tha ministri Sveçla.

Zoti Sveçla tha se në materialet e sekuestruara janë gjetur dokumente që dëshmojnë siç tha përfshirjen në këtë sulm të nënkryetarit të Listës serbe, subjektit politik më të madh të serbëve në Kosovë.

“Në këto materiale gjithashtu kemi gjetur dokumente të kriminelit që është edhe në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara Milan Radoiçiç. Dokumente këto që dëshmojnë lidhjen apo pjesëmarrjen e tij të drejtëpërdrejtë në këtë aksion. Kjo është lista e armëve apo lejeve zyrtare të institucioneve të Serbisë dhënë Milan Radoiçiçit, ku janë edhe armët të cilat ai posedon”, tha ministri Sveçla.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rhode, kërkoi sot një reagim nga ky subjekt politik.

“Ndërsa gjithë bota u trondit dhe po dënon ngjarjet e djeshme, pyetem nëse Lista serbe do te thyej heshtjen dhe t’u bashkohet të gjithëve në qëndrimin e qartë kundër sulmeve vrasëse”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Ndërkohë Lista Serbe, partia kryesore e serbëve të Kosovës ngushëlloi të hënën pasdite familjet e serbëve dhe policit të vrarë të Kosovës në atë që ajo e cilësoi një ngjarje tragjike.

Në reagimin e kësaj partie kërkohen hetime për siç thuhet, vrasjen e të paktën dy serbëve me gjakftohtësi ndonëse ata u dorëzuan, por nuk ofrohet asnjë provë mbi pretendimet e tilla.

Lista serbe bëri thirrje për vetëpërmbajtje dhe paqe, duke nënvizuar se është urgjente që KFOR-i dhe EULEX-i të vendosen në veri për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejmë të situatës dhe siç thuhet për të parandaluar keqpërdorimet politike të kësaj ngjarje tragjike.

Në deklaratën e kësaj partie nuk ka ndonjë përgjigje ndaj akuzave të zyrtarëve të Kosovës se nënkryetari i kësaj force politike ishte gjithashtu i përfshirë në sulm.

Ministri Sveçla tha se dëshmitë e mbledhura tregojnë se bëhet fjalë për një sulm mirë të organizuar që sipas ekspertëve kërkon të paktën disa muaj përgatitje.

Ai tha se bazuar në pamjet e siguruara rreth 30 persona kanë marrë pjesë në sulm dhe më shumë se tre janë vrarë por se tash për tash nuk mund të jap më shumë hollësi.

Të tjerët tha ai kanë arritur që të largohen në këmbë nga hapësirat brenda dhe përreth manastirit të Banjskës, duke lënë mbrapa automjetet e tyre. Ai i bëri thirrje Serbisë që t’u dorëzojë autoriteteve të Kosovës personat që mund të kenë ikur atje.

Drejtori i policisë së Kosovës Gazmend Hoxha tha se policia ende është në kërkim të të përfshirëve në sulm, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë që një pjesë të jetë ende brenda territorit të Kosovës./ VOA/

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Përfshihet nga flakët një banesë në Korçë, shpëtohen anëtarët e familjes

Mëngjesin e sotëm, një banesë në lagjen 10 të qytetit të Korçës është përfshirë nga…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Vrau dy persona dhe plagosi katër të tjerë, kush është i dënuari me burgim të përjetshëm, pasi në qeli iu gjet lëndë narkotike e fshehur

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka transferuar sot nga burgu i Peqinit në atë të…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Goditet “Call Center” në Tiranë, arrestohen administratorët, procedohen operatorët

Policia e Tiranës ka goditur një tjetër rast të mashtrimit ndërkombëtar nëpërmjet bursave fiktive. Në…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Forcat Operacionale të Burgjeve ‘‘zbarkojnë’’ në Vlorë, zhvillohen kontrolle të befasishme në paraburgim

Një kontroll i befasishëm është zhvilluar mëngjesin e së shtunës në ambientet e paraburgimit të…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

U largua nga banesa , 73-vjeçarja gjendet e pajetë në lumin Osum

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Berat, ku një shtetase 73-vjeçare është gjetur…

LEXO ME SHUME