Mario Mandzukiç po kryen vizitat mjekësore me skuadrën e “Al Duhail” në Katar, me të cilën do të vijojë karrierën e tij për 18 muajt e ardhshëm. Sulmuesi i “Juventusit’, në çelje të merkatos së janarit pritet t’i japë lamtumirën bardhezinjve, me të cilët kaloi katër sezone e gjysmë. Gjashtë muajt e fundit, kroati u stërvit i vetëm, pasi trajneri Maurizio Sarri, nuk e bëri më pjesë të skuadrës së parë, për shkak të mbipopullimit në sulm. Kjo ka bërë që Mandzukiç të shohë që prej shtatorit mundësinë për të gjetur një skuadër tjetër. “Manchester United”, “Milan” apo “Inter”, si edhe skuadra të tjera janë vendosur në garë për të përfituar nga shërbimet e bomberit bardhezi, por “Juventus” dhe Mandzukiç vendosën që futbollisti të vijojë karrierën e tij në Katar, te “Al Duhail”, skuadër ku luan dhe një tjetë “ish-Juventin”, Benatia. Marokeni u transferua janarin e shkuadër në Katar dhe mesa duket ka joshur dhe 34-vjeçarin e sulmit bardhezi për t’u transferuar në Azi.
“Sportmediaset” në një shkrim të publikuar të dielën njofton se lojtari po zhvillon vizitat mjekësore me skuadrën aziatike, ku pritet të firmosë një kontratë 18-mujore me një përfitim prej 7 milionë eurosh në sezon. “Juventus” nga ky transferim do të marrë 5.5 milionë euro neto, ndërsa do përfitojë dhe 17.5 milionë euro të tjera nga mospagimi i pagës në arkat e futbollistit për dy vitet e gjysmë të mbetura në kontratën me kroatin. Mandzkuiç te “Juventus” ka fituar 4 kampionate, katër kupa Italie, 3 superkupa italie dhe ka luajtur dhe një finale të “Champions League”, atë të luajtur në Kardif, duke shënuar dhe një super goli kundër “Real Madridit” të Ronaldo-s.
