Me rastin e Ditës së kujtesës, Ambasadori Fabrizio Bucci mori pjesë në shfaqjen e filmit dokumentar “The Albanian Code”, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, prodhuar nga Gady Castel, regjisor izraelit me origjinë italiane.
Dokumentari i kushton homazh guximit dhe altruizmit të popullit shqiptar, i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore diti të bënte “gjënë e duhur” me koston e rrezikimit të jetës së vetë, duke ofruar mbrojtje dhe një strehë të sigurt për mijëra hebrenj në arrati.
Shqipëria ishte i vetmi vend evropian ku popullsia me origjinë hebreje në fund të konfliktit ishte më e madhe se në vitin 1939. Është thelbësore që gjeneratet e reja të ndërgjegjësohen, sepse atyre do t’u kalojë përgjegjësia për ta përcjellë përpara këtë kujtim.
Ne duhet të kujtojmë atë që ndodhi në mënyrë që të mos harrojmë dhe të sigurohemi që ajo të mos ndodhë më kurrë. Duke cituar fjalët e Primo Levit, “ata që harrojnë të kaluarën janë të dënuar ta rijetojnë atë”.



