Kryebashkiakët socialistë të dalë nga votimet e 30 qershorit e kanë nisur punën me sulme ndaj paraardhësve të tyre në bashkitë që më parë janë drejtuar nga opozita. Kryetari i bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi ka denoncuar paraardhësen e tij Zamira Rami për favorizime dhe tendera abuziv, të firmosura sipas tij, në ditën e fundit në detyrë.
Golemi: Ka plot raste të tilla dhe njerëz të regjistruar nga partia që merrnin rrogën kot pa shkuar asnjë ditë në punë. Njerëz që nuk e kanë parë kurrë punën me sy, por kanë parë vetëm bankomatin për të marrë rrogën. Nëse do të flisja për atë çfarë gjeta në financat e bashkisë, atë parimin pas neve të bëhet qameti e dimë të gjithë. Për fat të keq kështu është punuar edhe në bashkinë Gjirokastër. Pjesë e buxhetit ishte planifikuar në gjithë vitin, në shumicën e agjencive mbi 90% është shpenzuar në 6 muajt e parë, në 6 muajt e parë duhet të merremi me 10%.
Në Peqin, kryebashkiaku i ri shprehet se e ka gjetur arkën bosh, ndërsa pagat e administratës nuk janë paguar prej 3 muajsh.
“Problematika është e mbartur. Unë e mora detyrën vetëm më 7 gusht. Shpresoj që kjo çështje të marrë zgjidhje sa më parë. Kjo kërkon durim dhe mirëkuptim nga punonjësit” Më herët në bashkinë e Kamzës, kryetari Rakip Suli denoncoi demokratin Xhelal Mziu për shkelje në dhënien e lejeve të ndërtimit.
