Pilaf me bullgur dhe patëllxhanë
Përbërësit:
2 patëllxhanë
1 kokërr qepë
1 thelb hudhër
½ spec i kuq
1 spec jeshil
2 domate
Nenxhik i freskët
1 lgj salcë domate
Kripë dhe piper i zi
1 lgj gjalp
2 lgj vaj ulliri
Përgatitja:
Lajmë, pastrojmë patëllxhanët, i presim ato në kubikë me brinjë 1 cm dhe i vendosim në ujë me kripë ose ujë e limon që të mos oksidohen për 20 minuta. Më pas i kullojmë dhe i thajmë mirë me pecetë letre.
Vendosim tiganin me vaj bimor, shtojmë në të 1 thelb hudhër dhe kur hudhra të fillojë të flluskojë ( të ziejë në vaj), vaji është aromatizuar shtojmë kubikët me patëllxhanë dhe i skuqim deri sa të marrin një ngjyrë të artë. I largojmë dhe i vendosim përsëri në një pjatë ku kemi shtruar letër kuzhine me qëllim që të largojmë yndyrën e tepërt.
Në një tigan të thellë vendosim 2 lugë gjelle vaj ulliri dhe 1 lugë gjelle gjalp. Shtojmë qepën e prerë në kubikë, 1 thelb hudhër. Duke kaurdisur qepën, deri sa të zbutet dhe të bëhet transparente, shtojmë specin jeshil, specin e kuq të prerë në kubikë të vegjël. Presim domatet në kubikë dhe i kaurdisim ato për 5 minuta. Shtojmë 1 lugë gjelle salcë domate, e kaurdisim mirë me perimet dhe shtojmë gjysmë filxhani ujë dhe ziejmë pak salcën për 2 minuta.
Shtojmë gjysmë gote bullgur , e kaurdisim pak duke shtuar 3 gota ujë të nxehtë, e trazojmë pak duke shtuar kripë dhe piper të zi, spec pikant nëse dëshironi. Mbulojmë tenxheren me kapak dhe e lëmë të ziejë për 15 minuta. Pasi të kenë kaluar 10-12 minuta zbulojmë tenxheren, shtojmë patëllxhanët e skuqur në tenxheren me bullgur dhe e mbulojmë me pecetë për 15 minuta të tjera, duke e fikur zjarrin. Pasi të kenë kaluar 15 minuta i mbuluar, mund ta shërbejmë bullgurin të ngrohtë të zbukuruar me nenxhik të freskët.