Categories Politike

Vuçiç: S’na duhet konflikt i ngrirë me Kosovën, duhet të përballemi me realitetin!

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se Serbia nuk ka nevojë për një konflikt të ngrirë me Kosovën.

Duke paraqitur para Kuvendit të Serbisë raportin për dialogun me Kosovën, Vuçiç tha se serbët në Kosovë duan që negociatat të zhvillohen, në mënyrë që të arrihet ndonjë zgjidhje kompromisi në të ardhmen.

“Kur të më pyesni se çfarë është kompromisi, unë do të them: nuk e di”, tha Vuçiç para ligjvënësve serbë.

Ai vlerësoi se “fuqitë perëndimore nuk do ta ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës” dhe se ato “do të pajtohen për një Kosovë të pavarur me çdo kusht”.

“Ne nuk kemi detyrë të lehtë dhe kohë për humor festiv, as kohë për pritje të tepërta, por kohë për t’u përballur me realitetin që na rrethon”, tha Vuçiç.

Vuçiç tha se dialogu me Kosovën është “transparent” dhe se pretendimet se “dikush po fsheh diçka diku dhe po përpiqet të mashtrojë publikun” janë “gënjeshtra”.

“Dialogu është korniza e vetme e mundshme, derisa të arrihet një kompromis me shqiptarët. Ne i kemi informuar në mënyrë të vazhdueshme përfaqësuesit e Bashkimit Evropian se kemi përmbushur gati gjithçka nga Marrëveshja e Brukselit. Të tjerat janë detaje që jemi gati t’i përmbushim. Shqiptarët nuk janë gati për të përmbushur atë, për të cilën është rënë dakord”, tha Vuçiç.

Për takimin e parë me Kurtin

Vuçiq foli para deputetëve serbë edhe për takimin e tij të parë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që u zhvillua më 15 qershor në Bruksel.

“Për Kurtin, temë e vetme ka qenë: kur do ta njohim pavarësinë e Kosovës?”, tha Vuçiç. Përgjigjja, sipas tij, ka qenë: “Kurrë”.

“Situata është shumë më e vështirë dhe më serioze si për ne, ashtu edhe për ta… Një zgjidhje kompromisi është diçka që duhet të kërkojmë”, u tha Vuçiç deputetëve të Kuvendit të Serbisë.

Çfarë thuhet në raportin për Kosovën?

Raporti i Vuçiqit për deputetët i referohet rrjedhës së dialogut të Serbisë me Kosovën nga maji i vitit 2019 deri më 15 qershor, 2021.

Duke e prezantuar atë, Vuçiç tha se gjatë viteve 2020 dhe 2021, Serbia u ka dhënë serbëve në Kosovë “më shumë se 750 milionë, e madje edhe 800 milionë euro”, ndërsa numëroi edhe investimet e Serbisë në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Vuçiç përmendi ndërtimin e shkollave, spitaleve dhe banesave, si dhe investimet në kisha dhe manastire të Kishës Ortodokse Serbe.

Ai tha se Serbia nuk ka arritur të ndryshojë trendin e emigrimit të serbëve nga Kosova, të cilët, “në kërkim të një jete më të mirë dhe një sigurie më të madhe”, kalojnë për të jetuar në Serbi.

Raportin e fundit për dialogun me Kosovën, Vuçiç e ka prezantuar në Kuvendin e Serbisë në maj të vitit 2019.

Kjo ka qenë hera e parë që Vuçiç ka paraqitur një raport për Kosovën qëkur Partia e tij Përparimtare Serbe (SNS) ka marrë pushtetin në vitin 2012.

Që nga paraqitja e këtij raporti, në Serbi janë mbajtur zgjedhjet parlamentare në qershor të vitit 2020 dhe përbërja e Parlamentit ka ndryshuar.

Një pjesë e opozitës i ka bojkotuar këto zgjedhje dhe koalicioni qeverisës i udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe e Vuçiçit i ka 243 nga gjithsej 250 ulëset e Parlamentit.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë ka nisur në vitin 2011 dhe qëllim i tij është arritja e një marrëveshjeje të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Dialogu ndërmejtësohet nga Bashkimi Evropian dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara./REL

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme Politike

Asambleja e Shpresës: Kur “Sfidat” zgjidhen me dolli, ndërsa domatja bëhet “Luks”

VLORË – Ndërsa te tregu i fruta-perimeve qytetarët numërojnë qindarkat për të blerë dy banane,…

LEXO ME SHUME
Categories Politike

“Tirana ka vajza të jashtëzakonshme”/ Cilësohej si kontakt i Epstein, KiE i heq imunitetin ish-Sekretarit të Përgjithshëm

Këshilli i Evropës i ka hequr imunitetin ish-Sekretarit të Përgjithshëm, Thorbjørn Jagland, pas një kërkese…

LEXO ME SHUME
Categories Politike

Protesta e PD, Rama nxjerr foton e molotovëve: Bomba artizanale, drejtësia të veprojë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me protestën e mbajtur një natë më parë nga…

LEXO ME SHUME
Categories Politike

Partia Demokratike Vlorë thirrje qytetarëve për protestën e 10 shkurtit

Partia Demokratike e Vlorës u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestën e…

LEXO ME SHUME
Categories Politike

Pse Rama nuk e pranoi dorëheqjen e Ballukut

Belinda Balluku sot në mëngjes i ka ofruar dorëheqjen Kryeministrit. Edi Rama nuk ka dashur…

LEXO ME SHUME