Lushnjë/ Kapet me heroinë dhe kokainë pranë shkollës, arrestohet 31-vjeçari, sekuestrohet Audi SQ8 me vlerë 50 mijë euro
Policia e Lushnjës ka finalizuar operacionin e koduar “Kontigjenti”, pas një muaji hetimesh proaktive për goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike pranë ambienteve shkollore.
Në kuadër të operacionit, u arrestua në flagrancë një 31-vjeçar me inicialet M. S. (K.), banues në fshatin Kolonjë, i cili u kap pranë shkollës së mesme të zonës. Sipas Policisë, ai kishte me vete doza të dyshuara heroine dhe kokaine, të ndara dhe të gatshme për shitje.
Nga hetimet rezulton se 31-vjeçari ishte arrestuar edhe më parë për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, uniformat blu konstatuan edhe një automjet luksoz tip “Audi SQ8”, me vlerë të përllogaritur rreth 50 mijë euro, i cili dyshohet se është përfituar nga aktiviteti i paligjshëm.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lëndët narkotike dhe automjeti. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme hetimore.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale.
